2 perditesime
12:07

Deklarohet Vetëvendosja, thotë se presidentit do t’ia dërgojë me shkresë emrin e mandatarit

Është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje lidhur me propozimin për mandatar. Thotë se presidentit Hashim Thaçi do t'ia dërgojnë emrin e mandatarit me shkresë brenda disa ditëve.

“Sot u mbajt mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.

VV thotë se pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t'ia drejtojë Drekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, përfundon reagimi.

Gjithashtu, edhe Arbërie Nagavci, tha para mediave se Grupi Punues i kësaj partie do të vazhdojnë takimet me LDK-në, e cila ndër tjera u shpreh shumë pozitive.

12:03

Përfundon mbledhja e Kryesisë së Vetëvendosjes

Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e ka konfirmuar për KTV-në nënkryetari Besnik Bislimi, por ka refuzuar të japë detaje se çka është biseduar në mbledhje.

As të tjerë zyrtarë të VV-së ende nuk janë deklaruar për media.

10:13

Vetëvendosja sërish mbledh Kryesinë, diskutohet për mandatarin që do t’i dërgohet presidentit

Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur sërish Kryesinë e saj.

Në selinë e VV-së kanë arritur anëtarët e kryesisë Besnik Bislimi, Rexhep Selimi, Xhelal Sveçla e të tjerë.

Kjo mbledhje është vazhdimësi e asaj të mbajtur dje, e cila është ndërprerë pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte për t’u takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, raporton KTV.

Në këtë mbledhje është paralajmëruar se do të diskutohet shkresa me propozimin e mandatarit qe duhet t'i dërgohet Presidentit.

Vlen të theksohet se afati kohor prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ofroi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të nominuar kandiatin për kryeministër skadon pasditen e sotme, ndonëse, është jokushtetues.

Kujtojmë se para mbledhjes së Kryesisë kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti është takuar me përfaqësues të organizatës “Thirrjet e Nënave”.