Pushimi dimëror zgjati më shumë më 2019.
Edhe 3 javë pas tij, mësimdhënësit nuk e kishin filluar mësimin dhe kishin hyrë në grevën e radhës në tentimin e tyre për të marrë rritje të re pagash.
Orët e humbura nuk u kompensuan asnjëherë, ani pse Ministria e Arsimit kishte dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës vendimin e SBASHK-ut për moskompensim të orëve. Gjykata kishte vendosur në favor të Ministrisë, por SBASHK-u e apeloi sërish atë.
Një grevë të re njëditore e mbajtën në mars, duke kërkuar dërgimin në Kuvend të projektligjit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta dhe në fakt, ajo rezultoi e suksesshme, sepse nga dhjetori mësimdhënësit kanë nisur marrjen e shtesave për vitet kur nuk u paguan.
Në ndërkohë, një tjetër grevë po vazhdonte.
E nisur në mesin e dhjetorit të 2018-s, greva e kirurgëve do të vazhdonte për rreth tre muaj.
Qindra operacione kirurgjikë ishin anuluar në QKUK, pasi kirurgët kërkonin rritje të koeficientit të pagave të tyre, sepse ndiheshin të nënvlerësuar me gradën që ua kishte caktuar shteti në një ligj që atë kohë po amendamentohej në Kuvend.
Lexoni edhe:
Pa përkrahjen e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, greva vazhdoi duke kërkuar ndryshimin e koeficientit të tyre dhe vlerësimin e rrezikshmërisë në punën e tyre, raporton KTV. Por më 15 shkurt ata e ndërprenë atë, duke thekuar se po i japin kohë Ministrisë së Shëndetësisë për të vlerësuar kërkesat e tyre.
Ndryshimet e bëra në Ligjin e punës futën në grevë edhe ata që rrjedhimisht, e kanë të ndaluar me ligj një gjë të tillë.
Kontrolloret e Shërbimit të Navigimit Ajror iu kundërvunë Qeverisë dhe Kuvendit pasi ata u gjendën në ligjin e ri të pagave.
Ata refuzuan futjen e tyre në ligjin e pagave, për shkak se rrezikoheshin që ato t’u ulen.
Greva e tyre pati shkaktuar kaos në Aeroportin e Prishtinë, ku ishin anuluar qindra fluturime.
Ajo u ndërpre pas premtimit të Ministrit të Infrastrukturës se ASHNA do të trajtohet me ligj të veçantë, ligj i cili ende nuk është hartuar.
E po ashtu, qenë akorduar që në këtë ligj të rangoheshin me koeficientin 7.
Ligji futi në grevë edhe punëtoret e KEK-ut, judikaturës, Shërbyesit Civilë e punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, sepse dikush nuk u pajtua me koeficientin e përcaktuar e të tjerët pse u futen në atë ligj.
Por, pavarësisht se shumë greva e protesta që mbajtën kundër Ligjit të Pagave madje edhe presidentit të vendit shumë herë iu kërkua që të mos e nënshkruajë këtë ligj, ligji u zyrtarizua, por në fuqi nuk hyri.
Në fund të vitit, Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagat dhe atë për zyrtarët publikë.
Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme të moszbatimit të këtyre ligjeve deri në pranverën e 2020-s.
Avokati i Popullit ishte ankuar, pasi ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.
Ky fakt e vuri nën kritikat e opinionit, Avokatin e Popullit duke pasur edhe tentime për protesta të reja.
Mësimdhënësit e edhe mjekët, mbajtën protestën e parë disaorëshe.