Arbëri

Shoqëria civile do ta kujtojë Qeverinë Haradinaj për pasojat negative që i solli Kosovës dhe për shpenzimet e mëdha

Me entuziazëm dhe hov të madh e kishte nisur vitin 2019 Ramush Haradinaj si kryeministër i vendit. Ishte viti i dytë i qeverisjes por në verë kjo u ndërpre në gjysmë pasi që u ftua nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar.

Janari i ftohtë i vitit 2019, Haradinajn e gjeti duke negociuar me atëherë partinë opozitare, PSD për votim të projektligjit të buxhetit të atij viti, i cili u votua vetëm pas plotësimit të disa prej kërkesave të kësaj partie.

Krahas saj, me idenë që po i stopon pretendimet për shkëmbim territoresh dhe po ia merr dialogun prej duarsh, presidentit Hashim Thaçi, Haradinaj inicioi ligj për dialogun me Serbinë, ku u votua platforma, u krijua një delegacion qeveritar në krye me kreun e Nismës, Fatmir Limaj dhe atë të PSD-së, Shpend Ahmeti, po që më pas u shpall antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Haradinaj gjatë fillimit të muajit shkurt miratoi në Qeveri edhe Ligjin për Paga e Zyrtarëve Publik, por që në dhjetor të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese pas ankesës së Avokatit të Popullit e pezulloi këtë ligj për arsye se në disa pika bie ndesh me Kushtetutshmërinë.

Si vendim pozitiv i Qeverisë Haradinaj është edhe Ligji për Trepçën.

Në muajin e festës së pavarësisë, Haradinaj mori disa vendime të guximshme, pasi shkarkoi ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe disa muaj më vonë ministrin tjetër të Listës Serbe, atë të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, pas deklaratave të tij ku mohoi masakrën e Reçakut.

Kryeministri tashmë në detyrë, Haradinaj e nisi dhe e përfundoi vitin 2019 duke këmbëngulur për mbajtjen e taksës karshi Serbisë.

Taksa nuk u hoq pavarësisht presionit vendor dhe ndërkombëtar në samite të ndryshme, përshirë atë në Berlin nga liderët evropian për largim të saj, në këmbim të liberalizimit të vizave dhe hapjes rrugë të dialogut me Serbinë.

Në fillim stinën e verës, Haradinaj papritmas, pas ftesës për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit, që nxiti zgjedhjet e reja të parakohshme në muajin tetor.

Por para kësaj, Haradinaj bëri planin e fizibilitetit për autostradën e Dukagjinit, por pa e përfunduar si proces.

Në gjithsej 32 mbledhje të qeverisë, Haradinaj gjatë vitit 2019, u morën shumë vendime, por nga shoqëria civile dhe njohës politik po konsiderohet si qeveri e shpenzimeve ad-hoc dhe e menaxhimit jo të sigurt.

Vet kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj për KosovaPress, flet për disa sukseset që kanë ndodhur gjatë mandatit të tij në vitin 2019.

Ai vlerëson se gjatë mandatit të tij dy vjet e gjysmë, janë shënuar një numër i madh i të arriturave në fusha të ndryshme të cilat do t’i mbesin Kosovës përjetësisht.

“Ne kemi bërë punë që janë në të vërtetë të përjetshme për vendin. Përjetësisht i mbesin Kosovës, pesha e tyre. Jo veç në forcim të sovranitetit në tërësi edhe në veri. Policia më nuk pengohet i kryen punën e veta, por janë edhe plot tema që janë të rëndësishme, politikat fiskale. Ata që i kemi liru në lëndët e parë, në teknologji si iu kemi qasur sipërmarrësve krejt janë me rëndësi për ekonominë. Ligjet bazike, qoftë ato të kodit penal të reformës në gjyqësor që janë tepër të rëndësishme. Ligjet bazike për administratat siç është rasti i ligjit për paga që është e arritura më e madhe…Ligji për kryeqytetin, ushtria, Trepça Është bërë shumë punë në vend. Situata me energji, nuk është rritur çmimi i energjisë. Kam pas me u fokusu, kemi zgjedhur përjetësisht situatën me kategorinë e veteranët e lirisë”, thotë Haradinaj.

Por kështu nuk mendojnë analistët dhe shoqëria civile.

Profesori Mazllum Baraliu, kritikon Qeverinë Haradinaj ku sipas tij funksionimi i kësaj Qeverie ka sjellë pasoja negative për Kosovën.

“Ka pasur edhe gabime ka pasur menaxhim jo të sigurt dhe koheziv të qeverisë. Nuk ka qenë një Qeveri dhe një kabinet, por disa qendra qeverisëse. Kjo e ka dobësuar shumë pozicionin e kryeministrit dhe Qeverisë. Kjo ka sjellë pasoja negative brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare”, thotë ai.

Kurse, Arton Demhasaj nga Organizata “Çohu”, vuri theksin tek shpenzimet e mëdha të Qeverisë Haradinaj.

“Ka pas shpenzime të mëdha sa i përket shpenzimeve në ushqim dhe udhëtime të ndryshme që kanë ndodhur nga ana kabinetit qeveritar dhe qeverisë në tërësi. Nëse i shohim shumat, janë tepër të larta dhe nuk ka ndonjë arsyetim për gjithë ato shuma që janë shpenzu. Unë e përmenda edhe një herë se ka pas shpenzime të buxhetit të Kosovës përmes vendimeve që janë marrë nga kryeministri që nuk është praktikë e mirë që me anë të vendimeve duhet të shpenzosh buxhetin e shtetit”, u shpreh ai për KosovaPress.

Nga Demokracia Plus, Jetmir Bakija thotë se as këtë vit gjatë qeverisjes Haradinaj nuk ka pas zhvillime të bujshme ekonomike. Për këtë arsye, sugjeron që Qeveria e re mos të përcjellë praktikat e Haradinajt.

“Nuk është se ka pas zhvillime të bujshme në zhvillimin ekonomik. Më shumë ka pas në infrastruktura disa zhvillime, mirëpo ka qenë një vazhdimësi e qeverisjes së mëhershme të vitit 2018, kur ishte edhe viti i plotë i një qeverisje me një qeveri mjaft të madhe, edhe shpenzimet e mëdha që dolën. Jo një qeveri siç e pritmin që të jetë më këto rezultate edhe me bisedimet me Serbinë, edhe me zhvillimin ekonomik. Ka qenë në infrastrukturë ajo vazhdimësia e mëhershme. Ndoshta është intensifikuar ca. Ka pas një bashkëpunim më të mirë me komunat që vlen për t'u vlerësuar. Megjithatë kanë qenë mjaft praktika që qeveria e re nuk duhet t'i përcjellë”, thotë ai.

Jetëgjatësia e Qeverisë Haradinaj ishte vetëm dy vjet e gjysmë.

Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto që janë duke negociuar formimin e Qeverisë së ardhshme.

Tri partitë e PAN-it që ishin në Qeveri, përfshirë edhe partinë e Haradinajt në legjislaturën e shtatë, do të mbesin në opozitë.