Arbëri

Ministrisë s’po i pëlqen që kompani e organizata e matin ndotjen e ajrit, i takon veç IHMK-së

Para dy muajsh, Ministria e Mjedisit vendosi këta monitorë për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit këtu në kryeqytet. Por, pajisje të tjera, sikur ajo e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, e kompanisë IPKO dhe organizatave të tjera, tashmë përdoreshin nga qytetarët, për informim rreth nivelit të ndotjes së ajrit.

Mirëpo, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë se monitorimi aktual i cilësisë së ajrit nga organizatat e kompanitë e ndryshme nuk është në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, raporton KTV.

Ky dikaster ka thënë se të njëjtat duhet të aplikojnë për leje, ndryshe do të merren masa ndaj tyre.

Kompania IPKO, në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim drejtuar KTV-së, nuk ka treguar nëse kompania ka leje për një gjë të tillë, por ka sqaruar se pse matësi u vendos edhe jashtë ambienteve të kompanisë.

“IPKO ka blerë disa censorë nga kompania AirVisual. Këta censorë, fillimisht, janë blerë për ta matur cilësinë e ajrit brenda ambienteve të IPKO-s, mirëpo duke qenë kompani me përgjegjësi sociale ndaj klientëve dhe duke parë shqetësimin e tyre rreth cilësisë së ajrit, kemi vendosur që matësit t’i vendosim edhe jashtë ambienteve tona dhe që të dhënat që këta matës gjenerojnë, t’i ndajmë me kompaninë AirVisual, kompani kjo e cila ka aplikacionin e vet që njëherësh është edhe aplikacioni më i shkarkuar në App store, për kualitetin e ajrit. E njëjta kompani publikon edhe të dhënat që gjenerohen nga censorët e vendosur nga Ambasada Amerikane”, thuhet në përgjigjen nga IPKO Telecommunications L.L.C.

Lidhur me matësit, KTV-ja ka pyetur edhe Ambasadën Amerikane, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, tash për tash, Ministria e Mjedisit ka të vendosura pajisje për monitorimin e cilësisë së ajrit vetëm në tetë komuna.