Arbëri

Kusari thotë se me paketën anti-shpifje, Rama po mundohet t’i kontrollojë mediat

Descriptive Text

Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, ka thënë se miratimi i paketës anti-shpifje në Shqipëri nënkupton ndryshimin e dy ligjeve, një që ka të bëjë me media audiovizive dhe ato elektronike.

Ajo thotë se përmes këtij ligji mund të gjobitën e po ashtu të mbyllen mediat online.

Kusari në Interaktiv të KTV-së ka thënë se me këto ndryshime ligjore kryeministri Rama kompetencën e gjykatave ja ka deleguar një institucioni publik anëtarët e se cilit i zgjedh vetë përmes parlamentit.

“Partia Socialiste i kontrollon shumicën e televizioneve përmes reklamave e kontratave. Me televizione ai nuk ka problem, problem ka me media online të cilat janë duke prodhuar gazetari tepër të mirë investigive”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se që nga viti i kaluar Rama ka vendosur se si t’i kontrollojë mediat, por se sipas saj, atëherë ka pasur reagim shumë të ashpër ndërkombëtarë dhe kjo e patë ndalur.

“Draft-ligjet e qeverisë nuk kanë qenë asnjëherë të qasshme për publikun. Në shtator kur ndodhi tërmeti, është e vërtetë që ka pasur lajme që kanë pasur impakt”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mediat rregullohen në dy forma, radiot dhe televizionet rregullohen nga shteti, mediat online rregullojnë vetveten dhe është një mekanizëm shumë efikas.

“Ka shtete që vetërregullimi është shumë profesional. Arsyetimi i Ramës është pse duhet të pres 5 vjet kur mund ta mbyll portalin brenda 6 orëve dhe ta heq shkrimin”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se do të rregullohet një këshill brenda AMA-s se çfarë është gazetari e mirë. Që i bie se një medium i cili ka së paku 20 mijë euro buxhet, sado i mirë që është me tri gjoba mbyllet.

Ajo thotë se nëse hyn në fuqi ligji nuk e din se si do të funksionojnë mediat online.

Kusari thotë se ligj i tillë nuk ekziston askund në botë.

Sipas saj, Shqipëria nga aktivizmi dhe shoqëria civile janë shumë larg madje edhe Kosovës.

“Kësaj here, në protestë ishin qindra njerëz dhe kjo ishte e jashtëzakonshme. Rreth 17 organizata lokale u bënë bashkë dhe reaguan. Komuniteti ndërkombëtar dhe të gjitha institucionet që merren me të drejtat e njeriut, kanë reaguar”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se ishte për t’u çuditur se si pikërisht në kohën kur u hapen negociatat, një vendim i tillë është marrë.

Duke folur për votimin e ligjit i cili mori mbi 80 vota, ajo thotë se aq sa ka faj pozita, ka edhe opozita.

Juristja e medias, Flutura Kusari duke folur për gjendjen e medias në Kosovë ajo ka thënë se PDK-ja nga komisioni për media është munduar ta shkatërrojë sistemin e mediave.

“Iniciativa e fundit e Nait Hasanit ishte se si të rregullohen mediat përmes një ligji i cili nuk ka hyrë në fuqi as në Itali, nga atje ku kanë marrë shembull”, thotë ajo.

Kusari thotë që se në Kosovë ka bazë të mirë ligjore, por sipas saj, problemi qëndron tek pjesa financiare.

Ajo thotë se është brengosëse se ku shkojnë reklamat e qeverisë, duke shtuar se mostransparenca i dëmton mediat profesionale.

“Çështje brengosëse janë edhe paditë kundër gazetarëve. Është një numër shumë i madh i padive ndaj gazetarëve. Janë edhe kërkesat për masë të përkohshme, ku kërkohet heqja e disa shkrimeve. Një rast i tillë është edhe i Admoveres”, ka thënë ajo.

Sipas saj shteti e ka obligim me kriju ambient ku mund të zhvillohet gazetaria, ndërkaq shton se as VV as LDK nuk e kanë pas prioritet lirinë e shprehjes në fushatën zgjedhore.

Ndërkaq duke folur për sulmin ndaj gazetarit të Indeksonline, Kusari ka thënë se ky është sulmi më i rëndë i vitit 2019.

“Sulmi është jashtëzakonisht serioz, sepse ministrat shihen si model prej njerëzve që i votojnë dhe kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme publike. Shala jo vetëm që është përgjegjës për sulmin që e ka bërë por është edhe thirrje për dhunë ndaj gazetarëve. Mua po më intereson emri i prokurorit që është përgjegjës për rastin e Endrit Shalës. Është shumë e rëndësishme për ne që ta dimë. Pse nuk guxon që ta ndal në paraburgim. Ai është dashtë së pari me u ndal. Në të kundërtën prokuroria po ja ndihmon ministrit që është në rregull me e sulmu një gazetar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Shala duhet menjëherë të jap dorëheqje dhe Limaj të kërkojë falje.

“Nëse Nisma nuk kërkon falje, kjo i bie që e mbështet sulmin. Përgjegjësia është edhe tek Haradinaj. Haradinaj e ka filluar keq me gazetarët por më vonë u përmirësua”, ka thënë ajo.

Duke folur për sinjalizuesit, Kusari tha se Ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës është një prej gjërave më të mira që kanë ndodhur.

“Nëse për diçka duhet lavdëruar institucionet e Kosovës, është Ministria e Drejtësisë, e cila e ka draftuar ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe i ka dëgjuar të gjitha dëshirat e të gjithëve, plus ekspertizën ndërkombëtare – dhe kemi bërë një Ligj të mirë. Pasi ka hyrë ligji në fuqi, MD-ja e ka bllokuar zbatimin e ligjit. Tani të gjitha Ministritë duhet të caktojnë një person që duhet të merret me sinjalizimet. Agjencioni Anti-Korrupsion nuk po tregon se cilat institucione i kanë caktuar këta persona. Por, duhet diture të gjithë se nëse një person i ndonjë institucioni del publikisht dhe tregon për parregullsitë, ai person edhe mund të largohet nga puna, por gjykata do t’ia paguajë të gjitha pagat gjatë kohës sa ka qenë i larguar nga puna. Falë sinjalizuesve dhe storieve në KTV, e kemi marrë vesh se në PTK ka nepotizëm”, theksoi Kusari.

“Rasti tjetër i sinjalizuesve është prokurori Elez Blakaj, i cili dëshmoi me fakte ndikimin e politikës në prokurori. Ai e la Kosovën, dhe bëri mirë që e la sepse besoj që jeta e tij do të ishte në rrezik nëse do të mbetej në Kosovë”, potencoi ajo.