Arbëri

Ambasada amerikane pyet nëse qeveria e re e Kosovës do t’i frenojë praktikat korruptive

Descriptive Text

Përderisa dje misionet diplomatike të akredituara në Kosovë kërkuan formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës, sot ambasada amerikane ka pyetur nëse kjo qeveri e re do të jetë në gjendje t’i frenojë aferat korruptive.

Përmes një postimi në profilin zyrtar në Twitter, Ambasada Amerikane ka shtruar disa pyetje për qeverinë e re, ndërsa ka thënë se koha po ecën, duke lënë të kuptohet se kërkesa e tyre është që qeveria e re të formohet sa më shpejt.

“A do t’i shkurtojë qeveria e re shpenzimet e pamatura, emërimet pa merita dhe praktikat tjera korruptive për ta vënë Kosovën në shtegun drejt qeverisjes së mirë dhe përgjegjësisë fiskale? Koha po ecën për ta zbuluar këtë”, ka shkruar Ambasada amerikane, raporton Koha.net.

Dje, menjëherë pas deklaratës së Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shefave të misioneve të BE-së në Kosovë, ku u kërkua formimi i qeverisë së re dhe vijimi i reformave dhe dialogut, reagoi edhe ambasada amerikane.

Kjo ambasadë thoshte se pajtohet me deklaratën e shefave të BE-së, duke thënë se qytetarët mezi po presin që të krijohet qeveria e re dhe të sillen ndryshimet e premtuara.

“Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës janë të padurueshëm për një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhej në postimin e ambasadës.

Edhe ambasada e Britanisë së Madhe pati njoftim të ngjashëm.

“Ne mbështesim deklaratën e Shefit të Zyrës së BE / Përfaqësuesit Special të BE-së, EULEX-it dhe Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë”, u tha në reagimin e tyre.