Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

200 trupat britanike të NATO-s mbërrijnë në Kosovë

NATO-ja ka njoftuar se 200 trupat britanike kanë mbërritur të premten në Kosovë për ta përforcuar misionin paqeruajtës të Aleancës, KFOR.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në platformën X, të njohur më parë si Twitter, NATO-ja ka bërë të ditur se me arritjen e këtij kontingjenti është bërë një hap i kujdesshëm që të sigurohet se KFOR-i po e kryen mandatin e tij ashtu siç parashihet.

“Kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë mbërriti në Kosovë për t'u përforcuar Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. Një hap i kujdesshëm për të siguruar se KFOR-i ka forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit”, thuhet në njoftim.

 

Ky vendim për trupat shtesë është marrë pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të verit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në luftimet midis Policisë dhe grupit që sulmoi në Manastirin e Banjskës u vranë edhe tre sulmues serbë.