Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

20 vjet nga masakra në tregun e Mitrovicës, flasin të mbijetuarit

Foto: Komuna e Mitrovicës

Janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë, që ndodhi 20 vjet më parë në tregun kryesor, në qendër të qytetit të Mitrovicës, kur forcat serbe hodhën disa granata, ndërsa tregu ishte përplot me njerëz, pasi që atë ditë ishte ditë tregu në qytetin buzë Ibrit.

Si pasojë e hedhjes së granatës, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa që lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.

Në vendin e ngjarjes, ku 20 vite më parë kishte ndodhur atentati, folën Sabedin Uka, Sadije Musliaj, të cilët kishin pësuar rëndë, sepse u ishin dëmtuar këmbët, duart e pjesët tjera të trupit.

Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.

Përfaqësues të institucioneve komunale të Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe qytetarë që atë ditë kishin marrë plagë të ndryshme, u tubuan në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.

Edhe U përkujtua masakra e tregut në Mitrovicë Arbëri U përkujtua masakra e tregut në Mitrovicë

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, tha se 13 marsi i vitit 1999 ishte një ditë e tmerrshme, pasi që në tërë tregun shiheshin viktimat e vdekura e të plagosura.

“Jemi mbledhur këtu që së bashku me ju të ndajmë dhimbjen e cila ndonëse vitet po kalojnë, ajo nuk po zbehet sepse është e thelluar në mendjen tonë, kur dihet se aty humbën jetën më të dashurit tanë dhe shumë bashkëqytetarë të tjerë të pafajshëm, si dhe për vet faktin që drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja t’u tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”, tha ndër të tjera Mujka.