Arbëri

Haradinaj: Vetëvendosja t’i japë epilog formimit të institucioneve

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, në një konferencë për media bashkë me ambasadorin gjerman Christian Heldt, tha se është finalizuar procedura për parkun e Erës në Bajgorë, si një ndër projektet më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në vend.

“Dje u nënshkrua përmbyllja financiare me BERZH-in. Projekti që parasheh investime prej 170 milionë eurosh gjeti mbështetje edhe prej disa bankave prestigjioze. Do të vendosen 27 turbina në rajonin e Bajgorës për të prodhuar energji elektrike pa dëme mjedisore”, tha Haradinaj, raporton Koha.net.

Ai ka shtuar se projekti pritet të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021.

Ai ndër tjera foli edhe për situatën politike në vend. Tha se nuk kanë ndonjë qëndrim sa i përket votimit apo jo të presidentit më 2021, por ka kërkuar nga Vetëvendosja si fituese e zgjedhjeve, t’i japë epilog situatës së krijuar.

Haradinaj ka thënë se formimi i qeverisë dhe temat që ndërlidhen më këtë çështje janë përgjegjësi e Vetëvendosjes.

"Ne jemi parti opozitare, nuk jem pjesë e bisedave dypalëshe VV-LDK. Në princip, barra bie mbi mandatarin me kriju qeverinë. Temat që ndërlidhen me këtë, gjinden alternativa. Sipas përvojës sime, e para bie mbi mandatarin, të gjejë formulat dhe t’i akomodojë pritjet e palëve. Aleanca nuk obligohet nga diskutimet dy palëshe të tyre, jemi parti opozitare. Kemi pikëpamjet tona, por jo tash për këtë temë. Mendoj që është e Vetëvendosjes me i dhënë epilog formimit të institucioneve", tha Haradinaj, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se partnerët mund të kenë “kërkesa të ndryshme”, por mandatari duhet ta formojë qeverinë sa më parë.

Ndërkaq, ambasadori Heldt foli vetëm për projektin.

“Kjo ishte një punë ekipore e vërtetë. Siç përmendi kryeministri ky është projekti i parë i tillë. Ceremonia e nënshkrimit ka qenë mbresëlënëse dhe ka treguar se bashkëpunimi mund të shpien në rezultate. Energjia e ripërtrishtshme shpie drejt një të ardhme kur Kosova do të marrë më shumë autonomi të energjisë, energjisë së pastër”, tha Heldt.

Ambasadori Heldt tha se partneriteti mes Kosovës e Gjermanisë do të vazhdojë.