Sot kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti u paraqit në Prokurorinë Themelore për të dëshmuar rreth kallëzimit penal që bashkë me nënkryetarin Glauk Konjufca e bënë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Kurti e Konjufca, pas gati 5 muajsh u ftuan me ftesa të rregullta që të paraqiten të mërkurën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës si dëshmitarë, raporton KTV.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u paraqit në Prokurori në orën 9 të mëngjesit, e dy orë më vonë pritet edhe Konjufca.
Vepra penale e shkruar në ftesë me kodin 383, është deklarim i rremë nën betim, çka zyrtarët e Vetëvendosjes pretendojnë se Thaçi e Veseli e kanë bërë gjatë dëshmisë së tyre në rastin “Syri i Popullit”.
Në këtë rast, Thaçi e Veseli, kishin pretenduar se prapa organizatës “Syri i Popullit” qëndrojnë Kurti e Konjufca.
Sipas Kodit Penal, për këtë vepër parashihen dënime me gjobë e deri në 5 vjet burgim.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, i ka konfirmuar KTV-së se aktualisht, nuk ka ftesa të tjera për këtë rast, pos atyre dërguar dy zyrtarëve të lartë nga Vetëvendosje.
Rasti që njihet si “Syri i Popullit”, ende nuk ka marrë epilog në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe pritet që disa prej të akuzuarve, të japin fjalët përfundimtare në seancat e caktuara për 16 e 17 janar të vitit të ardhshëm.
