“Tech Heroes” bën bashkë nxënësit e komuniteteve të Kosovës

“Tech Heroes” bën bashkë nxënësit e komuniteteve të Kosovës

15 December 2019 13:27

Tech Heroes, garë në fushën e teknologjisë informative e cila po zhvillohet për herë të dytë në Kosovë, sot shënoi ditën e dytë ku të rinjtë patën mundësi të njoftohen me një varg aktivitetesh rreth teknologjisë.

Qëllimi i kësaj gare ishte bashkimi i 160 pjesëmarrësve prej të gjitha etnive në Kosovë, të cilët do të punojnë në një periudhë prej 6 muajsh, në zhvillimin e aplikacioneve të ndryshme për të zgjedh problemet e ndryshme shoqërore.

Organizatorja Fiona Shehu, tha për KosovaPress, se projekti dy ditësh i teknologjisë, ka për qëllim t’i bashkojë të gjitha komunitetet e Kosovës, në një gjuhë të përbashkët e cila është teknologjia dhe t’i ndihmojë nxënësit që të punojnë në grupe së bashku, që të arrijnë një zgjidhje pozitive në shoqëri.

“Si projekt e ka për qëllim me i bashku komunitetet e Kosovës me një gjuhë të përbashkët që është teknologjia, nxënësit që janë pjesë e “Tech Heroes” sot kanë kaluar nëpër një proces tre mujor, ku ata në muajin shtator veç e kanë pas një maratonë dy ditore në të cilën i kanë ideuar disa projekte, që kanë me pas kontribut pozitiv në shoqëri. Qëllimi i krejt projektit është që nxënësit e “Tech Heroes” të punojnë bashkë, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje pozitive në shoqëri, të cilën e gëzojmë të gjithë. Gjatë maratonës së ditës së sotme domethënë është maratonë dy ditore, nxënësit që janë pjesë e kësaj maratone kanë me mësuar metodologjinë e fundit, se si të bashkëpunojnë për t’i zhvilluar këto projekte”, tha Shehu.

Pjesëmarrëse e garës Altina Kasabaqi, u shpreh shumë e lumtur që është pjesë e kësaj gare, e cila i ka ndihmuar të fitoi shumë njohuri nga teknologjia e fundit. Ajo tha se edhe pse ka komunitete të ndryshme të gjithë së bashku po kalojnë shumë mirë.

“Qëllimi i kësaj gare është me i përfshi të gjitha komunitetet që janë në Kosovë edhe me iu dhënë të rinjve një platformë për me zhvillu veten edhe pse janë të rijnë. Edhe pse ndoshta jemi prej vendeve të ndryshme, komuniteteve të ndryshme, po jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin edhe gjatë pushimeve gjithmonë komunikojmë, luajmë lojëra të ndryshme ose flasim për gjëra të ndryshme”, tha Kasabaqi.

Granit Zeka nga Prishtina, gjithashtu pjesëmarrës në garë, tha se e gjitha kjo garë iu ka mësuar të solidarizohen me komunitetet e tjera dhe të punojnë në grupe.

“Gjithçka po shkon në rregull, edhe pse veç sa ia ka filluar, tash jemi ka merremi më shumë me prezantimin për Get Lab, mu mësu qysh me përdor atë. Krejt kjo garë zhvillohet me u solidarizu me komunitetet e tjera dhe me u mësu qysh me punu në grup. Krejt janë shumë të shoqërueshëm njëri me tjetrin, mundemi me luajt lojëra, me fol për tema të ndryshme, edhe secili është shumë i mirë për njëri tjetrin”, tha Zeka.

Projekti i “Tech Heroes” është i mbështetur nga Ambasada e Britanisë në Kosovë, si dhe implementohet nga organizata për migrim integrim dhe Akademia jCoders.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme