Në Kosovë janë të regjistruar mbi 10 mijë të rinj të cilët bëjnë punë vullnetare në komunitet. Në mesin e këtyre personave është edhe Arbrita Uka, 18 vjeçare nga Lipjani, studente e Fakultetit të Shkencave Matematikë-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.
Ajo thotë se u angazhua në punë të ndryshme vullnetare duke ndarë kohën e saj për fëmijët e familjeve me asistencë sociale, në ruajtjen e ambientit në shkollat fillore në Komunën e Lipjanit dhe aktivitete tjera.
“Arsyeja pse unë bëj punën vullnetare është se më bën të ndihem mirë dhe më plotëson shpirtërisht, por ndihmoj edhe të tjerët, njoh njerëz të rinj dhe bëj aktivitete të reja. Me qenë vullnetare është diçka e vlefshme dhe diçka e mirë dhe i kisha inkurajuar edhe të tjerët ta bëjnë këtë punë”, thotë Uka.
Kosova ende nuk e ka Ligjin për Vullnetarizëm. Në Kosovë puna vullnetare rregullohet përmes Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, i miratuar në vitin 2009.
Puna vullnetare e të rinjve, sipas këtij ligji, rregullohet me kontratën për punë vullnetare ndërmjet organizatorit dhe vullnetarit të ri dhe duhet të njihet si përvojë pune e cila do të konsiderohet si përparësi në rast të konkurrimit për punësim.
Vullnetar, konsiderohet ai person i moshës 15 vjeç deri 24 që ofron shërbime pa pagesë në të mirë të shoqërisë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ndihmën e UNICEF-it, ka krijuar platformën për njohjen e punës vullnetare e cila ishte funksionalizuar me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për Punë Vullnetare të të Rinjve në vitin 2016.
Kastriot Mehmetaj, administrator i platformës për njohjen e punës vullnetare në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i vullnetarëve të regjistruar gjatë viteve të fundit në Kosovë ka shënuar rritje.
Aktualisht sipas tij, janë të regjistruar gjithsej 10362 vullnetarë.
“Vet numri që tregon se janë të regjistruar mbi 10 mijë vullnetarë tregon për interesimin e të rinjve, si dhe çdo ditë kemi vullnetarë që regjistrohen në platformë. Nëpërmjet platformës ekzistojnë shumë mundësi që ofrojnë organizatat e ndryshme, ku shumica prej tyre janë mjaft atraktive për të rinjtë”, thotë Ahmetaj.