Arbëri

BQK-ja legjitimon normat e interesit të kredive të “Iute Credit” dhe “Monego”

Descriptive Text

Normat e interesit të cilësuara jashtë çdo standardi nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës do të aplikohen për kredimarrësit e institucioneve mikrofinanciare “Iute Credit” dhe “Monego” edhe pas mbylljes së tyre.

Edhe pse këto norma, sipas BQK-së, paraqesin rrezik për stabilitetin bankar, qytetarët janë të obliguar që t’i kthejnë kreditë e tyre në bazë të marrëveshjeve që kishin bërë me këto dy institucione, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, kreditë e marra nga klientët tek çdo institucion financiar i licencuar, rregulluar dhe i mbikëqyrur nga ky institucion duhet të kthehen.

“Kjo, bazuar në kushtet e kredisë dhe afatet siç specifikohet me kontratën në mes të kredimarrësit dhe kredidhënësit, ku çdo vonesë në pagesën e kësteve ndikon në rritjen e këstit. E njëjta vlen edhe në rastet kur një institucioni i revokohet licenca (regjistrimi)”, thuhet në një përgjigje të BQK-së për gazetën.

Më 6 dhjetor 2019, Bordi Ekzekutiv i BQK-së, duke u bazuar në kompetencat që i garanton neni 36, paragrafi 1, nënparagrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67, paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ka vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të incizojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar “Monego”.

Sipas BQK-së, këto institucione gjatë viteve të operimit në treg, në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)