Arbëri

Veseli kthehet në Kosovë, nuk tregon në çfarë cilësie u intervistua në Hagë

Foto: Koha

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli është kthyer sot në Prishtinë pas intervistimit nga Gjykata Speciale.

Ai nuk ka deklaruar se në çfarë cilësie është ftuar nga Specialja dhe asgjë nga intervistimi, veçse ka falënderuar masën e cila po e priste para dyerve të aeroportit “Adem Jashari”.

Para simpatizantëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të PDK-së, Veseli uroi për paqe dhe qetësi për popullin e Kosovës.

Veseli dje ka qëndruar në Hagë ku është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, pas ftesës që i kishte ardhur më 7 nëntor.

“Sa më shumë paqe, qetësi për popullin tonë, Zoti e mbrojt Kosovën, lavdi e përjetshme Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Gjithmonë krenarë, përjetë!”, tha Veseli.

LEXO EDHE: Kryetari i PDK-së s’flet për intervistimin para Speciales, vetëm për UÇK-në

Kadri Veseli i cili u ftua nga Gjykata Speciale lidhur me luftën e UÇK-së, nuk ka treguar se a e ka marrë ftesën në cilësinë e dëshmitarit apo personit të dyshuar.

Intervistimi i tij në zyrat e Speciales në Hagë është zhvilluar dje dhe ka zgjatur tri orë.