Sveçla sqaron takimin me Gjuriqin

Sveçla: VV-ja s’dëshiron ta përfshijë postin e Presidentit në negociatat për Qeveri me LDK-në

10 December 2019 23:33
23:53

Është raportuar se LDK-ja po insiston që në bisedimet për formimin e qeverisë të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit. Për këtë çështje, anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, tha se ka pasur diskutime të tilla, por se partia që ai përfaqëson nuk dëshiron përfshirjen e kësaj teme në këtë fazë.

“Qëndrimi i VV-së është i qartë që çështja e presidentit nuk duhet të diskutohet tani. Megjithatë, është çështje që duhet të zgjidhje mes dy liderëve, Kurtit e Mustafës”, tha Sveçla.

Ai thotë se e mira e këtyre zgjedhjeve është se dy partitë, VV dhe LDK, janë pajtuar për programin e përbashkët që do të zbatohet nga ministrat e Qeverisë Kurti.

“Se kush çfarë ministrish do të marrë, varet nga negociatat. Nuk mjafton vetëm harmonizimi i programit, por standard i ri është kjo pjesa për të cilën është diskutuar tani, pjesa e harmonizimit të programit. Qeveritë e mëparshme s’kanë diskutuar kurrë për programin, por kanë kaluar direkt tek ndarja e posteve. Jam optimist se marrëveshja do të arrihet. Por, se si do të arrihet, varet nga bisedimet mes dy liderëve. Është në dorën e tyre tani”, shprehet ish-deputeti i VV-së.

Ai thotë se posti i kryeministrit nuk është i barasvlershëm me postin e presidentit, të kryeparlamentari dhe të zëvendëskryeministrit, siç raportohet të ketë LDK-ja. Kjo pasi, siç tha ai, kryeministrin e ka zgjedhur elektorati.

“Nuk është e pranueshme dhe nuk është i barasvlershëm posti i kryeministrit me postin e presidentit, kryeparlamentarit e të zëvendëskryeministrit të parë. Por, zgjidhja do të gjendet, jo në këtë formë, por disi të gjendet. Në bisedimet që janë bërë, është përmendur që LDK-ja kërkon MPB-në, por s’mund ta them nëse kjo ministri do t’i takojë LDK-së. Nuk duhet harruar që udhëheqësi këtu është kryeministri Albin Kurti”, deklaroi Sveçla.

Tutje, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, tha se oferta e VV-së për LDK-në është publike, duke ofruar postin e kryeparlamentarit, i cili sipas Kushtetutës, i takon partisë së parë.

“Oferta e VV-së është publike. Kemi thënë se çështja e presidentit do të duhej diskutuar kur të vjen koha. Kemi ofruar edhe postin e kryeparlamentarit, i cili sipas Kushtetueses i takon partisë së parë. Por, kemi dashur të kemi diskutim sa më të hapur, dhe kemi thënë, ‘në rregull, merreni kryeparlamnentarin dhe ministritë pastaj të ndahen’, por kërkesa e LDK-së ka qenë që të përfshihet edhe posti i presidentit dhe këtu kanë ndodhur ngecjet”, theksoi ai.

Ish-deputeti i VV-së, që s’ka marrë vota të mjaftueshme edhe për një mandat, ka thënë se Qeveria duhet të formohet pas mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Ne mund të kemi një marrëveshje mes dy partive, por qeveria s’mund të formohet para konstituimit të Kuvendit. Ne po presim ftesën nga presidenti për seancën konstituive”, u shpreh ai.

Për takimin e radhës, sipas Sveçlës, ka mbetur që dy liderët të gjejnë orarin e përshtatshëm.

Ai tha se s’e konsiderojnë asnjë partner tjetër për të formuar qeverinë në këtë mandat përpos LDK-së.

“Ose e bëjmë qeverinë me LDK-në, ose shkojmë në zgjedhje të reja. Por, nuk besoj se do të vjen puna deri aty. Nuk mendojmë se subjektet e dala nga PAN-it do të kontribuonin me ndonjë gjë të mirë në qeveri”, tha ai.

23:33

Sveçla sqaron takimin me Gjuriqin

Image

Xhelal Sveçla, ish-deputeti i Vetëvendosjes, ka sqaruar një fotografi që qarkullonte online e në të cilën ai shihej në një tavolinë bashkë me Marko Gjuriqin, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ai ka thënë se takimi kishte ndodhur në kuadër të një konference ndërkombëtare e organizuar në Tiranë.

“Kjo është e vërtetë, edhe pse është edhe pak befasuese pse gjithë kjo reklamë negative. Megjithatë, mund të tentoj të shpjegoj si ka rrjedhur kjo. Isha pjesë e një konference ndërkombëtare e organizuar nga një organizatë amerikane e mbështetur nga ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. S’është hera e parë që marr pjesë në konferenca të këtij lloji e as të kësaj organizate. Po ashtu përfaqësues të disa subjekteve ishim pjesë edhe atë natë edhe më herët në këto konferenca. Fotografia ishte e bërë gjatë një darke pune. Për mendimin tim, s’ishte asgjë që të bëhej e madhe meqenëse edhe vetë konferenca s’kishte asnjë komponentë sekrete. Unë nuk besoj se ka zyrtar të Serbisë që nuk e mohon atë që ka ndodhur në Kosovë. Edhe Marko Gjuriq i takon këtij grupi, por Lëvizja Vetëvendosje qysh herët ka vendosur se do të marrë pjesë në këto konferenca, pavarësisht a janë përfaqësues të Serbisë apo serbë lokalë pjesë të tryezave me kusht që s’janë sekrete”, ka thënë Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se ulja afër Gjuriqit ishte çështje protokolli.

“Ishte çështje protokolli se kush ku ulej. Unë krejt çka bëra ishte se zbatova rregullat e konferencë. Kjo ishte zyrtare dhe vendet i caktoi organizatori. Në rastin e parë s’di se si ishte organizuar renditja e ulëseve. Për mua kjo s’ishte thelbësore. S’është hera e parë që takohemi në konferenca të këtij lloji me përfaqësues të Serbisë, përfshirë edhe Marko Gjuriqin. S’është dëshirë apo vullnet për t’u takuar, por është e rëndësishme të marrim pjesë në këto konferenca që të dekonspirojmë qëndrimet e tyre, të pengojmë qasjen e tyre që historia të harrohet duke tentuar të rishkruajnë historinë të cilën e kemi jetuar e duke ofruar zgjidhje që në asnjë moment s’janë të pranueshme për popullin tonë. Kemi qëndrim se do të jemi jashtëzakonisht të vendosur që të gjitha këto plane të Serbisë në vazhdimësi t’i demaskojmë e të ofrojmë alternativën tonë, sidomos për të drejtat e popullit të Kosovës”, ka thënë tutje ai.

Sveçla ka thënë se diskutimi nuk ishte relaksues dhe se aty ka pasur acarime të kohëpaskohshme. Ka thënë se i ka përmendur pikërisht masakrën e Reçakut, që ditë më parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq e quajti trillim.

“S’ishte atmosferë relaksuese. U diskutua për bashkëpunimin rajonal. Ka pas acarime të kohëpaskohshme. Kam përmendur çështjen e masakrës së Reçakut, jo vetëm Gjuriqit, por të gjithë pjesëmarrësve pasi isha vetë dëshmitar i masakrës. Kam përmendur rastin e një plaku kur jo vetëm që është ekzekutuar, por i është prerë edhe koka. Kam mbyllur tentimin e Gjuriqit dhe tjerëve për të thënë se ishte inskenim. Pati përplasje të qëndrimeve dhe argumenteve e fakteve se si realisht ka ndodhur kjo histori, sidomos prej fillimit të viteve të ’90-a”, ka thënë Sveçla. Sipas tij, këto deklarata nga ana e Serbisë s’duhet të jenë befasi për Kosovën.

Sveçla ka thënë tutje se Vetëvendosje nuk mund të refuzojë pjesëmarrjen në konferenca të tilla vetëm se pjesë e tyre janë përfaqësues serbë. Sipas tij, kjo sepse “do të ishte e dëmshme po të mos marrim ne pjesë sepse do t’i hapte rrugë Serbisë që të pasqyrojë Kosovën siç e do vetëm ajo”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme