Në Ditën e Njeriut, në Kosovë kërkohet angazhim i institucioneve kundër ndotjes së mjedisit Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Në Ditën e Njeriut, në Kosovë kërkohet angazhim i institucioneve kundër ndotjes së mjedisit

10 December 2019 17:48

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Kosovë është kërkuar që institucionet e vendit të angazhohen më shumë kundër ndotjes së mjedisit.

Ndotja e mjedisit ka qenë shqetësimi që është ngritur sot në marshin e Avokatit të Popullit në bashkëpunim me shoqëritë civile. Zëvendësavokatja e Popullit, Edona Hajrullahu, në Express Intervistën në KTV ka thënë se ngritja e këtij shqetësimi ka ardhur pas shumë reagimeve që kanë pasur qytetarët e Kosovës dhe organizatat e ndryshme për ajrin e ndotur që po mbizotëron në vend, në veçanti në stinën e dimrit.

Ajo ka thënë se lidhur me këtë pikë kanë pasur edhe konferenca të ndryshme, teksa ka shtuar se vazhdimisht po kërkohet angazhim më i madh nga institucionet.

“Kjo temë është ngritur shkaku që kohëve të fundit kemi has në shqetësime që janë ngritur nga njerëzit edhe organizata të ndryshme dhe kërkohet edhe nga institucionet. Kemi mbajtur edhe konferencë pikërisht për këtë çështje për të kërkuar angazhim më të madh nga institucionet. Kjo i prek të gjithë, pa dallim. E gjithë popullsia e Kosovës ndikohet nga ky shqetësim. Masat që duhet të ndërmerren janë më se të nevojshme pasi do të rregullonin jetën e do të parandalonin problemet për shëndetin e njeriut”, ka thënë ajo duke shtuar se mandati i Avokatit të Popullit, pos mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ka edhe promovimin e të drejtave.

“Vetë promovimi është parandalim i një situate të palejuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është e pritshme që rekomandimet e Avokatit të Popullit për angazhimin e institucioneve ndaj ndotjes së mjedisit, të merren parasysh.

Për Ligjin për Paga, Hajrullahu ka thënë se deri tash kanë pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme që e ndiejnë veten të trajtuar jo barabartë në ligj. Ajo ka thënë se është dashur të dërgohet tash kjo çështje në Kushtetuese që të mos zgjaten dëmet e pariparueshme. Hajrullahu ka thënë se edhe sikur të ishte vetëm një person që nuk është trajtuar jo barabartë, ligji do të dërgohej në Kushtetuese.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme