Sipas Betim Musliut nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, me mohimet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po ia bën masakrës së Reçakut, po tregohet që në Serbi është gjallë fryma e Sllobodan Millosheviqit.
Ditë më parë, Vuçiq tha se kjo masakër ishte trillim, ndërsa sipas Musliut, kjo deklaratë është jashtë çdo lloj logjike.
“Sinqerisht është jashtë çdo logjike mënyra e veprimit të kësaj elite politike në Serbi, që është produkt i asaj që është prodhuar nga Sllobodan Millosheviqi. Një nga ministrat e Millosheviqit që po paraqitet si reformator në politikën serbe është ai që po dëshmon në momente të caktuara që Millosheviqi është akoma gjallë dhe që masakrat që i ka njohur bota e që kanë sjellë te intervenimi, e për të cilat masakra e krime të regjimit serb ka pasur tribunal ndërkombëtar që ka gjykuar këto, është e palogjikshme që këto krime të tentohet të mohohen”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Sipas tij, s’mund të ketë pajtim mes Kosovës e Serbisë pa pasur kërkimfalje e drejtësi për viktimat.
“Është e papranueshme që pas dy dekadave nga lufta, familjarët akoma s’i kanë gjetur të afërmit e tyre e nuk ka drejtësi. Shteti serb paskrupullt mohon krimet. S’është fotografi e montuar, por fakt që ka detyruar bashkësinë ndërkombëtare të ketë intervenim të NATO-s”, ka shtuar ai.