Tërmeti në Shqipëri tregoi rëndësinë e vullnetarizmit

Tërmeti në Shqipëri tregoi rëndësinë e vullnetarizmit

05 December 2019 14:50

Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF sot shënuan Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve me moton “Të bëjmë punë vullnetare për një ardhmëri gjithëpërfshirëse”.

Fillimisht, vullnetarëve të pranishëm iu drejtua Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, e cila tha se vullnetarizmi e mban shoqërinë të bashkuar.

Ajo ka thënë se në Kosovë vullnetarët duhet të bashkëpunojnë me një-tjetrin pavarësisht etnisë dhe zonës gjeografike nga vijnë pasi vetëm kështu mund të bëhen shembull i cili mund të ndiqet edhe nga të tjerët.

“Pa vullnetarizëm dhe pa vullnetarët shoqëria nuk do të ishte e bashkuar. Nuk do të kishte progres sepse vullnetarizmi është t'i shtrish dorën e ndihmës dikujt që ka vështirësi edhe për të kaluar rrugën, ose t'i zgjasë dorën e ndihmës dikujt pas një tërmeti siç ishte rasti me Shqipërinë, ose të punosh me misione të shumta të Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën në rruajtjen e paqes e në situata shumë të vështira. Ka raste të vullnetarizmit në shoqëri ngado që e kthen kokën. Prindër që bëjnë punë vullnetare në organizimet sportive të fëmijëve të tyre. Pra vullnetarizmi është ajo që e mban të bashkuar këtë shoqëri”, tha ajo.

Ndërkohë, Blerim Azizi nga Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara tha se ka ardhur koha që të njohim kontributin e të gjithë vullnetarëve të cilët e kanë mision t’i shërbejnë njerëzve.

Ai theksoi se vullnetarizmi mund të promovojë dhe trashëgojë vlerat e të gjithëve pavarësisht gjinisë, moshës e etnisë.

“Sot është momenti për t’ua njohur kontributin të atyre të cilët vendosin që çdo ditë t’ia kushtojnë kohën e jetën e tyre që t’ju ndihmojnë të tjerëve apo për një ambient më të mirë sepse edhe ambienti ne të cilin jetojmë kërkon përpjekje e përkushtimin tonë për të pasur jetë më të mirë dhe më të shëndetshme. Po ashtu, vullnetarizmi është një përvojë dhe mësim i vazhdueshëm, përmes vullnetarizmit mësojmë se si i shohim të tjerët, nevojat dhe shpresat e tyre, dhe po ashtu mësojmë për dallimet dhe përqafojmë densitetin. Këtë vit motoja jonë është ‘Të bëjmë punë vullnetare për një ardhmëri gjithëpërfshirëse’ pra në këtë drejtim vullnetarizmi mund të promovojë dhe trashëgojë vlerat e të gjithëve, pavarësisht gjinisë, moshës, etnisë, njerëzve me aftësi të kufizuara ose seksualitetit”, tha ai.

Ndërsa kreu i UNICEF-ut, Murat Sahin, kujtoi kohën kur ai iu kishte bashkuar ekipit të vullnetarëve para 20 vitesh pas një tërmeti në Turqi.

Ai tha se ishte një gjë e jashtëzakonshme të shikoje ekipet e vullnetarëve tani që i dilnin në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Sipas tij, njerëzit në Ballkan e kanë në gjenet e tyre vullnetarizmin dhe kjo është për t’u vlerësuar.

Duke u ndërlidhur me rezultatet e PISA-s, Sahin tha se nuk është vetëm çështjeve e institucioneve por e gjithë shoqërisë që të edukojë njerëzit.

“Siç dolën rezultatet e PISA-s, nëse shikoni Kosovën është shumë e lehtë për ta gjetur në fund me Filipinet dhe Republikën Dominikane, ajo se çfarë duhet të bëjmë nuk është të presim që një institucion ta zgjidhë këtë çështje, por të gjithë ne, është problem i shoqërisë që të ofrojë kualitet në të mirë të arsimit. Para tre muajsh e takova një vajzë 14 vjeçare, emri i saj është Fjolla, dhe ajo nuk di shkrim dhe lexim dhe ajo jeton 20 minuta nga këtu, ju nuk mund të pritni nga shkolla që ta mësojë atë, nuk mund të prisni as nga prindërit mirëpo gjithçka ka të bëjë me vullnetarizëm, na nevojitet ta mobilizojmë çdonjërin”, tha ai.

Në fund janë shprehur falënderim për të gjithë ata individë vullnetmirë që janë angazhuar në punë vullnetare dhe kanë ndihmuar në të gjitha sferat e jetës sociale./KosovaPress.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme