Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora paraqiti ditën e sotme situatën shqetësuese të banorëve të prekur nga tërmeti në Thumanë.
Pasi u larguan ekipet e shpëtimit dhe kamerat e televizioneve, lanë pas një skenë vërtetë të trishtë me banorët të cilët nuk janë strehuar ende dhe me hajdutët që kanë nisur të vjedhin shtëpitë e lëna bosh pasi janë shpallur të pabanueshme.
Shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme pasi nuk munden ta përballojnë situatën.
I tillë është dhe rasti i zonjës Zhuljeta Koxha e cila vuan nga epilepsia dhe dridhet gjithë kohës.
Ajo pohon se fle në oborr dhe se nuk ka marrë ndihmë nga autoritetet.
“Asnjë ndihmë nuk na ka dhënë Komuna. Dje kanë ardhur për të më bërë gjilpërën. 5 ditë që ka rënë tërmeti dhe doktori nuk kishte ardhur të më shihte. Çfarë kisha në bufe janë shembur. Faqja e murit është shembur. Disa barna na i kanë sjellë kosovarët se ata (komuna) nuk na kanë dhënë asgjë. Shkova për të kërkuar një çadër dhe ai i komunës nuk më dha. Ohu, boll keni marrë, më thanë”, shprehet Koxha.
Gazetarja e “BOOM” shkoi tek familja Caka që ka dy fëmijë të sëmurë. Njëri prej tyre është operuar disa ditë më parë dhe fle mes të ftohtit në çadrën e vendosur pranë shtëpisë së shembur.
“Këtu banojmë për momentin. Ja dhe djali të cilin e kam bërë operacion nga shtylla kurrizore. Ne nuk na ka thënë askush ku të strehohemi. Na kanë dhënë vetëm këtë çadër të futemi këtu. Dhe këtë e kemi marrë me zor në 12 të natës”, thotë një nga banoret.
“Kam dy fëmijë të sëmurë. Njërin e kam operuar ndërsa tjetrin e kam autik. Jetoj në kushte të jashtëzakonshme. Unë kërkoj ndihmë kush ka mundësi”, thotë më tej ajo.
Nëna e shtëpisë shprehet se ata u dërguan në hotel por nuk u pranuan pasi nuk kishin vërtetim nga komuna ndaj u detyruan të kthehen në çadra.
Kurse një djalë 16 vjeç rrëfen gjendjen në të cilën ata janë momentalisht. “Mbrëmjet janë të ftohta. Dua të zhvendosem nga ky vend se këtu është katastrofë e gjitha dhe dua të shkoj në një vend më të mirë. Nuk na kanë thënë gjë për të ikur. S'kemi çfarë të bëjmë tjetër”, thotë 16 vjeçari.
Pas këtij shqetësimi “BOOM” iu drejtua Njësisë Administrative Thumanë për të pyetur se përse nuk i sigurohet strehimi kësaj familje, por as atje nuk mori përgjigje konkrete për rastet.
Punonjësi i Njësisë Administrative në Thumanë ka thënë se kësaj familjeje do t’i shpërndahet çadra.
Administratori i Njësisë nuk ka dhënë një sqarim për situatën por thotë se vendet në hotele janë zënë.
Një tjetër zonjë shprehet se nuk është strehuar ende. Me lot në sy ajo tregon se është lutur për një çadër por ende nuk e ka marrë.
Shumë banorë pranojnë se flenë ende në shtëpi të rrënuara ndërsa disa të tjerë në qiell të hapur.
“Kur kërkoj çadrën, më thonë ‘shko në shtëpi se do ta sjellim ne’. Shkoj në shtëpi dhe rri deri në 5 të natës zgjuar se mos bie porta por nuk vjen njeri. Tani fle jashtë. Shteti nuk ka faj për tërmetet që bien por të paktën të vijnë dhe të na japin çadrat ku të fusim kokën. Jam e sëmurë dhe nuk të pyet kush. U bë 1 javë që rri përditë këtu”, shprehet zonja.
Por sikur të mos mjaftonte kjo fatkeqësi, pas tërmetit është vënë re një tjetër fenomen, vjedhja.
Persona të paidentifikuar shkojnë në shtëpi të shpallura si të pabanueshme dhe vjedhin çfarë të gjejnë.
Këtë e bëjnë të ditur banorët e Thumanës ku njëri prej tyre tregon se nuk pranon të dalë nga shtëpia sepse kanë filluar vjedhjet.