Arbëri

Viktimat e tërmetit: Familje të tëra, gjyshja me vajzën e mbesën, dy vëllezërit...

Dhjetëra ëndrra janë prerë në gjysmë këtë javë, pas goditjes së tërmetit në Durrës e Thumanë.

Me gjetjen e trupave kanë dalë në pah historitë e viktimave që humbën jetën.

Disa familje në të dyja lokalitetet kanë humbur disa anëtarë të familjes.

Në Durrës, e gjithë familja Reçi ka vdekur. Eduardi 54 vjeç, bashkëshortja Dolora 49, si dhe fëmijët Klausi 21-vjeçar dhe Kristi 25.

Vajza e familjes ishte person i afërt me djalin e kryeministrit Rama, Gregorin, i cili ka postuar ngushëllimet e tij online.

Edhe më e rëndë ka qenë historia e piktores 30-vjeçare, po nga Durrësi, Diena Karanxhaj.

Fillimisht u gjet trupi i pajetë i vajzës së saj 8-vjeçare, Esiela Karanxhaj, teksa Diena u dërgua e gjallë në spital, ku vdiq pas disa orësh. Të nesërmen, nga rrënojat e banesës së tyre u nxor edhe trupi i pajetë i nënës së Dienas, 59-vjeçares Rozeta Meçja.

Në Durrës, në lagjen e quajtur ish-Këneta, vdiqën si pasojë e tërmetit së paku 8 pjesëtarë të familjes Lala, kur u shemb ndërtesa në të cilën jetonin.

Në Thumanë, familja Cara humbi 6 anëtarë. Një i afërm i tyre ka marrë ngushëllimet nga kryeministri Rama.

I vetmi anëtar i familjes së afërt Cara, Alberti është nisur për shërim në Itali.

3 anëtarë të familjes Çupi nga Thumana, gjithashtu kanë humbur jetën, Hajredini 67 vjeç, Lutfija 59-vjeçare dhe Keli 35-vjeçar. Ka shpëtuar vetëm Micoli 31-vjeçar.

Një tjetër i ri që humbi jetën në Thumanë, Kristian Preçi, ka një histori të dhimbshme, pasi që kishte vetëm disa ditë që kishte dalë nga burgu, ku e kishin mbajtur, siç u raportua, 5 muaj padrejtësisht.

Një familje në Kosovë gjithashtu, u trondit nga tërmeti në Shqipëri, pasi që dy djemtë e saj, Isa dhe Shemsedini njëri 32 e tjetri 29, vdiqën në Durrës, ku kishin shkuar të punonin.

Në total, numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri, ka shkuar në 50. Mbi 700 persona janë lënduar.