Arbëri

Shoqata e Gastronomisë dërgon kuzhinë mobile me 35 kuzhinierë nga Kosova në Shqipëri

Bukë, miell, e lloje të ndryshme të mishit, u ngarkuan në këta tre autobusë që do të marrin rrugën për në Shqipëri.

Me më shumë se 20 mijë shujta ushqimore të gatshme për shërbim, qytetarë nga vendi, në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomisë së Prishtinës, ia mësynë qyteteve të prekura nga tërmeti.

Përmes një kuzhine mobile, me 35 kuzhinierë nga vendi, kjo shoqatë do të furnizojë me ushqim dhe pije qytetarë të prekur nga fatkeqësia atje, si dhe pjesëtarë të njësiteve të shpëtimit në zonat e prekura, raporton KTV.

Derisa ditë më parë kjo shoqatë nisi pako ushqimore e produkte të ndryshme, Driton Kllokoqi, kryetar i Shoqatës, tha se kuzhina mobile është mundësi për të gjithë ata persona që nuk kanë marrë këto shërbime në disa prej zonave.

Këtë organizim e mirëpresin edhe vullnetarë të ndryshëm, të cilët ndonëse jo për të gatuar në Shqipëri, do të shkojnë për të ndihmuar sipas mundësive.

Qytetarët pjesëmarrës në këtë iniciativë do të ndahen në tre grupe derisa do të shpërndahen nëpër qytete sipas nevojës.

Përveç qytetarëve të Prishtinës, kësaj nisme do t’i bashkohen edhe dy autobusë me vullnetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Transporti i produkteve për në Shqipëri nga kompanitë e autobusëve do të bëhet pa pagesë.