Qytetarët nga e gjithë Kosova ofrojnë shtëpitë e tyre për të prekurit e tërmetit në Shqipëri

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 27 November 2019 19:21

Shumë familje nëpër komuna të ndryshme të vendit kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për t’i pritur qytetarët e Shqipërisë, të cilët kanë mbetur pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi pjesën e Durrësit.

Ndonëse në rrethana tjera, kosovarët thonë se po ua kthejnë atë që bënë shqiptarët e Shqipërisë 20 vjet më parë, gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton KTV.

Milazim Uruqi nga fshati Polac i Komunës së Gjilanit, i cili jeton në Zvicër, e ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij e cila ka kapacitet t’i presë tri familje.

Ai thotë se këtë po e bën për shkak se Shqipëria ka ndihmuar kosovarët gjatë kohës së luftës.

Një tjetër banor, Sefedin Murati po nga Gjilani, e bërë gati banesën e tij për të akomoduar një familje, përderisa shton se të gjitha shpenzimet elementare të jetesës do t’ia heqë ai së bashku me familjen.

Raste të solidaritetit si këto ka pasur me qindra në të gjithë Kosovën, që nga e marta kur ndodhi tërmeti.

Përveç kësaj, shumë persona, në mënyrë vullnetare, kanë grumbulluar veshmbathje e ushqim për t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.

Nga ky tërmet mbetën të vdekur rreth 30 persona, ndërsa më shumë se 600 të tjerë kanë marrë lëndime trupore.

Përndryshe, gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, shumë familje kosovare u strehuan në Shqipëri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme