Arbëri

Haradinaj: Ushtria jonë po rritet, ashtu siç po rritet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti ynë territorial

Foto: ZKM

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të aktiviteteve për datën 28 nëntor, sot ka bërë homazhe në Gllogjan, në Kompleksin Memorial te Kulla e Dëshmorëve.

Me këtë rast, Haradinaj tha se 27 nëntori është dita e ushtrisë së Kosovës, që shënohet në gjithë vendin.

“Është hera e parë që e shënojmë si ditë të ushtrisë tonë të rregullt, në bazë të ligjeve të miratuara vitin që shkoi, dhe vërtetë ushtria jonë po rritet, ashtu siç po rritet pavarësia, sovraniteti dhe integriteti ynë territorial”, tha kryeministri në detyrë.

Para të pranishmëve të shumtë, ai tha se njëkohësisht në këtë ditë, kujtojnë daljen publike të UÇK-së, pastaj 28 nëntorin, që është nëntori i shqiptarëve, data e pavarësisë, e kthimit të Skënderbeut në kohëra më të hershme, në Shqipëri, ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe plot data që lidhen me këtë.

Më tej, kryeministri në detyrë tha se sot kanë nderuar në të gjithë vendin, duke filluar në Prekaz, pastaj në varrezat e heronjve në Velani të Prishtinës dhe tani në Gllogjan për të nderuar së bashku gjithë ato flijime, gjithë atë sakrificë të shqiptarëve për liri.