Arbëri

Mini-Shengeni diskriminues

Në një moment kur u janë lëkundur karriget, liderë të tri vendeve të rajonit kanë ndërmarrë një iniciativë për të krijuar atë që e kanë quajtur mini-Shengen, e që duan ta shtrijnë në kufijtë e gjatë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Në Prishtinë kjo nismë rajonale është cilësuar të jetë diskriminuese.

Nisma ka dalë mbi tavolinë, ndërsa ishte paralajmëruar se disa nga vendet e BE-së, sidomos Franca, do të refuzojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Zoran Zaev, e lansuan atë bashkë me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, shtetit që i është bërë e qartë nga Brukseli se pa një marrëveshje përfundimtare me Kosovën nuk mund të llogarisë në integrim.

Pas përgjigjes që mori nga Brukseli, Zaev ka deklaruar dorëheqjen dhe Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në prill. Mospjesëmarrja e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë ka thelluar krizën politike në këtë vend, ndërkaq janë shtuar kërkesat për largimin e Ramës, pas shuplakës që mori nga Brukseli, shkruan Koha Ditore. Në anën tjetër, Vuçiqi prej kohësh përballet me protestat e opozitës dhe në pranverë Serbia do të organizojë zgjedhje parlamentare. Në këtë situatë të tre gjetën një “solucion” dhe e servuan si alternativë për BE-në.

Kosova mori qëndrim refuzues për projektin, për të cilin treshja ka thënë se mbështetet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë janë shprehur hezitime.

Pas qëndrimit të shprehur në Prishtinë, Rama ka thënë se Kosova ka zgjedhur të vetizolohet.

Berat Rukiqi është kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Propozuesit nuk ia kanë mbushur mendjen atij se iniciativa është qëllimmirë.

“Prej termit e deri te protagonizmi i propozuesve japin shenja që edhe kjo iniciativë më shumë do të marrë konotacion politik sesa ekonomik”, thotë Rukiqi, i cili përmend edhe nisma të tjera rajonale, sikur është CEFTA, nga të cilat Kosova ka përfituar më pak sesa vendet e tjera.

Besnik Vasolli është njohës i integrimeve evropiane. Ai thotë të jetë gabim nëse kjo nismë është menduar si kundërpërgjigje ndaj politikës së re të BE-së në raport me zgjerimin.

“Duhet të kemi kujdes, mos ta zëvendësojmë procesin e Berlinit, i cili ka kontribuuar dhe do të kontribuojë edhe më tutje në përafrimin e shteteve dhe evropianizimin e Ballkanit Perëndimor, me një proces rajonal i cili i ka të gjitha predispozitat që të jetë diskriminues e jo integrues”, thotë Vasolli. “Të gjithë pajtohemi që integrimi rajonal është i rëndësishëm, por jo të jetë zëvendësim i integrimit në BE, e posaçërisht të kemi kujdes çfarë sinjali po përcillet me këtë rast – të evitojmë, të kuptohemi ‘nëse nuk na doni në BE, atëherë ne po integrohemi në rajon’, një qasje e tillë mund të prolongojë edhe ashtu të gjatë procesin e integrimit në BE”.

Frika nga humbjet

Brenda pak kohësh iniciuesit e projektit kanë mbajtur dy takime. Të parin e kanë zhvilluar në Novi-Sad të Serbisë, ku i kanë prezantuar qëllimet për jetësimin e të katër lirive themelore, nëpërmjet mini-Shengenit. Tjetri është mbajtur në Ohër të Maqedonisë, pas të cilit u vu firma mbi një deklaratë që përmban disa hapa në funksion të realizimit të këtyre qëllimeve.

Por, pse mund të jetë e dëmshme kjo nismë për Kosovën? Duke përmendur shembuj konkretë, kësaj pyetjeje i japin përgjigje njohës fushash specifike që synohen të rregullohen nëpërmjet projektit të proklamuar nga Rama, Vuçiq e Zaev.

Ehat Miftaraj është drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi. Tek flet për bashkëpunimin në luftimin e krimit, ai rikujton se nga gjashtë vendet që pretendohet ta përbëjnë mini-Shengenin, vetëm Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe as nënshkruese e marrëveshjeve multilaterale lidhur me bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale, përfshirë konventat apo mekanizmat ndërkombëtarë në luftimin e krimit transkufitar, krimit të organizuar dhe formave tjera të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informatave apo ofrimit të ndihmës juridike ndërkombëtare penale.

Kosova, duke mos qenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe OKB-së, është e përjashtuar nga këta mekanizma, duke mbetur vendi më i izoluar në rajon. Përderisa Kosova me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e ka të bazuar bashkëpunimin përmes marrëveshjes bilaterale në fushën e bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale, me Serbinë dhe Bosnjën s’ka kurrfarë bashkëpunimi.

Iniciativa e fundit rajonale, sipas Miftarajt, është edhe në funksion të fushatës së egër të këtyre dy shteteve kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat kryesorë ndërkombëtarë të Këshillit të Evropës, që do të lehtësonin luftimin e krimit transnacional.

“Iniciativa mini-Shengen në këtë fushë nuk mund të ketë asnjë efekt pozitiv për Kosovën”, thotë Miftaraj. “Përkundrazi, është një mjet politik shumë efikas i Serbisë për të minimizuar dhe pasivizuar pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë që bazohen në vlera dhe standarde evropiane dhe lokalizuar dhe izoluar në iniciativa rajonale që nuk kanë asnjë obligim ndërkombëtar, por që bazohen në vullnetin individual të shteteve se sa do të zbatojnë obligimet apo marrëveshjet e nënshkruara”.

Në fushën e ekonomisë, efekti negativ është më lehtë i matshëm.

Berat Thaçi është analist i politikave në Institutin GAP. Ai thotë se, për momentin, përbën ide të keqe ajo e unionit doganor, nëse veç vihet në tavolinë. Kjo pasi konsideron se veçanërisht problematik do të ishte bashkëpunimi me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për disa arsye.

“Së pari, ne kemi problem me implementimin e CEFTA-s, që është marrëveshjeve me kërkesa më të vogla sa i përket integrimit të tregjeve. Së dyti, esenciale për funksionimin e Unionit Doganor është besimi në mes partnerëve. Unioni Doganor nënkupton delegimin e mbledhjes së një pjese të të hyrave doganore të Kosovës tek shtetet e tjera të unionit, duke përfshirë edhe Serbinë, dhe pastaj këto të hyra shpërndahen tek anëtarët përkatës. Mirëpo, duke marrë parasysh konfliktet e vazhdueshme dhe nivelin shumë të ulët të besimit në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe Bosnjë-Hercegovinës, Unioni Doganor vështirë se do të funksiononte”, thotë Thaçi. “Rrezik tjetër shumë i madh është se Unioni Doganor mund gjithashtu të shkaktojë që të humbim një pjesë të madhe të të hyrave doganore. Kjo ngase shtetet që janë në kufi të Unionit Doganor sikurse Serbia mund të shndërrohen në pikë importuese për të gjithë rajonin dhe të mbledhin edhe të hyrat”.

Kosova e pabarabartë

Serbia ia konteston shtetësinë Kosovës dhe atë e njeh për krahinë të veten. Prandaj, kur ky shtet e ka organizuar samitin e parë në Novi-Sad, nuk e ka ftuar në takimin e parë asnjë përfaqësues të Kosovës. Ftesa për në Ohër të Maqedonisë ishte pranuar, por presidenti Hashim Thaçi ka dhënë një shpjegim pse ka refuzuar pjesëmarrjen, në takimin e mbajtur në javën e dytë të këtij muaji.

Tri argumente i ka përmendur.

“Së pari, Kosova qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”, ka shkruar kreu i shtetit. “Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.

Sipas tij, Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e një samiti të tillë në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur. Kreu i shtetit ka shprehur përkushtimin për t’i tejkaluar pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke dhe ka thënë se vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë do të mund të konsiderohet pjesëmarrja në iniciativa të tilla rajonale, si shtete të barabarta.

Besnik Vasolli thotë se një hapësirë e tillë çfarë mendohet të jetë mini-Shengeni është e mundur vetëm kur nuk do të ketë probleme rreth njohjes apo mosmarrëveshje rreth kufijve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në të tillë rrethanë, thotë se Kosova dhe i tërë rajoni do të përfitonin.

“Paramendojeni nëse të gjitha shtetet njohin njëra-tjetrën, arrijnë marrëveshje për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkufitar, diplomat dhe profesionet do të njiheshin nga institucionet respektive, kur s’do të kishte barriera tarifore apo jotarifore, ku të gjitha pikat e kalimit do të mund të shfrytëzoheshin, pa dallim. Në këtë rast, një iniciativë e tillë mund të përmirësonte jetën e qytetarëve dhe Kosova do të përfitonte njëjtë si të gjithë, pa dallim”, thotë Vasolli. “Deri atëherë mundësitë për keqkuptim janë të mëdha. Çdo iniciativë e tillë në Ballkanin Perëndimor duhet të bëhet me konsensus, të lihet kohë e mjaftueshme për diskutim, asnjëherë me imponim ose nguti”.

Por, është pikërisht presidenti Thaçi ai që në 2012-n, sa ishte kryeministër, pati firmosur një marrëveshje me Serbinë, mbështetur në nisma rajonale Kosova përfshihet pa kushtin që të njihet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Marrëveshja precizon që Kosova do të prezantohet me denominimin “Kosovo*”. E, fusnota që shpjegon asteriskun ka këtë përmbajtje: “Ky shënim është pa paragjykim të pozicioneve për status dhe është në linjë me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.

Me denominimin e ri, Kosova mori pjesë në disa nisma rajonale, përfshirë edhe në WB6, e cila ishte iniciuar nga Mali i Zi, por ishte formalizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, qëllim i së cilës është lehtësimi i bashkëpunimit rajonal në mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (WB6), me vizionin që t’iu ndihmohet në përmbushjen e kritereve për t’u anëtarësuar në BE. Komponenti më i rëndësishëm i procesit të Berlinit që u sponsorizua nga kancelarja Angela Merkel është e ashtuquajtura “Agjenda e konektivitetit”, e cila fillimisht synon që të gjashtë shtetet t’i lidhë mes vete në fushat e transportit dhe energjisë, dhe më vonë kjo lidhje të zgjerohet edhe në shkëmbimin për rininë dhe në bashkëpunimin ekonomik. Disa nga samitet e mbajtura ndihmuan në vendosjen e komunikimit ndërmjet liderëve të Ballkanit, si dhe në dizajnimin e disa projekteve infrastrukturore dhe të iniciativave rajonale, por në dy vjetët e fundit shumë çështje njohën ngecjen dhe as bashkëpunimi ndërmjet WB6 nuk ka përparuar.

Gazeta ka siguruar disa dokumente, në të cilat shpreheshin qëllimet e iniciativës, që ishin proklamuar në 2013-n nga Podgorica zyrtare. Ato janë të përafërta me këto të mini-Shengenit. Por, në një propozim-deklaratë që i ishte përcjellë ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ishin listuar edhe disa nga projektet që synonin ta lidhnin rajonin në fushën e transportit.

Iniciativa ishte studiuar nga Drejtoria për Çështje Rajonale, që funksionon në këtë ministri.

“Nga lista e projekteve infrastrukturore që janë vendosur si prioritet vërehet tendenca që Serbia dhe Mali i Zi të përfitojnë nga projektet rajonale për të forcuar lidhjet e tyre në fushën e komunikacionit rrugor e hekurudhor. Projektet eventuale me Kosovë, shumica janë të përfunduara ose projekte që kanë nisur nga buxheti vetjak, si rasti me autostradën Prishtinë-Shkup”, thuhet në komentet për iniciativën WB6, të cilat mbajnë firmën e Sylë Ukshinit, i cili atëkohë ishte në krye të Drejtorisë. “Ndërsa ndërtimi i linjës hekurudhore Prishtinë-Tiranë është në fund të listës, gjithashtu qëllimi i Kosovës nuk është lidhja me Tiranën, por me Portin e Durrësit, pasi ky port do të mund të bëhej destinacion parësor i Kosovës për lidhjen me Perëndimin përmes linjës detare”.

Historikisht viktimë

Pjesa më e madhe e diskutimeve për mini-Shengenin u referohet çështjeve ekonomike, që ndërlidhen me lirinë e qarkullimit të mallrave, shërbimeve e kapitalit. Por, rajoni është i përfshirë prej shumë vjetësh në një marrëveshje për tregtinë e lirë – atë të CEFTA-s (Central European Free Trade Agreement). Në të marrin pjesë tetë vende: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia.

CEFTA është vetëm një element që për synim kishte integrimin ekonomik rajonal. Iniciativat e tjera përfshijnë fusha të tjera, si: Komuniteti i Energjisë, Zona e Përbashkët e Aviacionit, Memorandumi i Evropës Juglindore në fushën e Transportit, Iniciativa e Evropës Juglindore në fushën e telekomunikacioneve dhe internetit, Kompakti i Investimeve, e të tjera.

Kosova ka pasur pak përfitime nga to, dhe ka përberë treg të hapur për të gjithë deri para një viti, kur vendosi tarifën prej 100 për qind për mallra nga Serbia dhe nga Bosnjë-Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj fushatës për ta penguar Kosovën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike, thotë se, për shkak të transicionit të gjatë, sfidave të formësimit të shtetësisë dhe barrierave të vazhdueshme nga vendet e tjera, Kosova më së paku ka përfituar nga CEFTA.

“Deri në vendosjen e tarifës për produktet serbe dhe ato nga Bosnja, Kosova ka qenë tregu më i hapur dhe me më së paku barriera nga të gjitha vendet e CEFTA-s”, thotë Rukiqi. “Vendet e rajonit, në vend të tendencës për dominim dhe për protagonizëm politik, duhet të hartojnë një plan të zbatueshëm të eliminimit të barrierave jotarifore, njohje reciproke të kualifikimeve dhe profesioneve, njohje reciproke të certifikatave dhe standardeve të ndryshme, eliminim të vonesave në kufi dhe shumë veprime tjera me dobi për lehtësimin e tregtisë në rajon”.

Berat Thaçi nga Institutin GAP ka rikujtuar se tregjet e shteteve në Ballkanin Perëndimor janë të vogla dhe ka thënë të jetë me rëndësi që shtetet që përbëjnë këtë rajon të jenë të hapura për shkëmbime tregtare në mënyrë që të mund të zhvillojnë industri konkurruese si rezultat i ekonomisë së shkallës dhe konsumatorët të përfitojnë nga çmime më të ulëta të produkteve. Prandaj, ka theksuar se, në parim, Instituti GAP përkrah iniciativat që do të ndihmonin që të ulen barrierat tregtare dhe të lehtësohet shkëmbimi i mallrave dhe njerëzve.

Mirëpo, edhe ai ka thënë se ajo që është parë deri më tani është se marrëveshjet tregtare si CEFTA nuk kanë mundur t’i adresonin shumë nga problemet tregtare që janë shfaqur deri më tani.

“Fatkeqësisht, për eksportuesit e Kosovës, Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shtetet që kanë paraqitur më së shumti barriera tregtare. Problemi gjithashtu qëndron se këto shtete i pëlqejnë përfitimet që i sjell tregtia e lirë, mirëpo për shkak edhe të interesave të ngushta (kryesisht korruptuese) në mes të politikës dhe bizneseve, shpesh kemi përfunduar duke i vënë njëri-tjetrit barriera tregtare. Pra, një pjesë e mirë e barrierave tregtare janë reflektim i sundimit të dobët të ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe nivelit të lartë të korrupsionit dhe këto barriera nuk do të mund të adresohen nëpërmjet marrëveshjeve tregtare”, ka thënë Thaçi. “Gjithashtu, marrëveshja tregtare aktuale (CEFTA) nuk po zbatohet në tërësi, sepse shtetet po i bëjnë barriera tregtare njëra-tjetrës”.

Besnik Vasolli konsideron se Kosova e bart një pjesë të fajit pse nuk përfiton në shkallë të kënaqshme nga nismat rajonale. Sfidë për shtetin ka thënë të jenë edhe kapacitetet e mangëta për të përfituar më shumë.

“Shiheni CEFTA-n! Përpos pengesave jotarifore që i kemi pasur nga Serbia, bizneset tona kanë mangësi serioze në eksport e për të vështirësuar punën edhe më tutje qeveritë e kaluara nuk është që e kishin prioritet zhvillimin ekonomik, së paku nuk ndërmorën shumë veprime në këtë drejtim. Shihni deficitin tregtar dhe e shihni sa (nëse) kishte përparim”, thotë ai. “Të gjithë duhet të bëjmë më shumë që të arrijmë zhvillim, mirëqenie, siguri e mbi të gjitha paqe të qëndrueshme”.

“Mini-Shengeni” që getoizon

Samiti i radhës për mini-Shengenin do të mbahet në Shqipëri. Në këtë shtet opozita, por edhe një pjesë e shoqërisë civile dhe e njohësve të ekonomisë kanë demonstruar rezistencë ndaj iniciativës që për hisedar e ka edhe Ramën, jo vetëm për shkak të Kosovës, por edhe për shkak të frikës së mbretërimit të Serbisë në një hapësirë të tillë të lirë.

Një frikë e tillë, por më e shprehur, është edhe në Kosovë, e edhe në disa vende të rajonit.

Edhe opozita në Prishtinë, e cila është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, ka të njëjtën drojë.

Ish-kryeministri Isa Mustafa është kryetar i Lidhjes Demokratike, subjekt i dytë që ka dalë në zgjedhje. Në besimin e tij, projekti nënkupton një Jugosllavi të re.

“Në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë”, ka shprehur qëndrimin Mustafa. “Politikat e mini-Shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çon në strofullin euroaziatik të dominuar nga Rusia. Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës”.

“Koha Ditore” ka siguruar një dokument që prezanton edhe qëndrimin e disa vendeve të rajonit përkitazi me iniciativat e kësaj natyre, të ndërmarra qysh në 2013-n. Edhe atëherë, në nisma të tilla nuk ishin marrë në konsideratë vendet si Kroacia e Sllovenia.

“Nebojsha Koharoviq, zëvendësministër i Jashtëm i Kroacisë, gjatë procesit të Bërdos, korrik 2013, në një takimin joformal, ka deklaruar se nismat e tilla nuk i kontribuojnë rajonit, sepse rajoni në këtë mënyrë po shkon duke u mbyllur, në vend se të integrohet më gjerë... Kroacia është kundër çfarëdo iniciative regjionale, e cila në emër të integrimit, në esencë, do të sillte deri tek një getoizim i këtyre shteteve”, thuhet në dokumentin e hartuar për nevoja të Ministrisë së Punëve të Jashtme. “Sllovenia është skeptike rreth nismës..., pasi, sipas palës sllovene, në rajon ka shume nisma të tilla, të cilat në vend se ta ndihmojnë njëra-tjetrën vetëm sa po e ngarkojnë skenën politike të rajonit”.

Kosova është shteti më i izoluar në Evropë. Nuk i janë liberalizuar vizat, ndodhet në fazë të vonshme të zbatimit të MSA-së dhe është i vetmi shtet në rajon që formalisht nuk e ka nisur rrugën e anëtarësimit në BE. Ajo akoma nuk ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat.

Perspektiva integruese e Kosovës nuk shihet as në Strategjinë e fundit të BE-së për Zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Malit të Zi e Serbisë i saktësohet 2025-a si vit potencial anëtarësimi, Shqipërisë e Maqedonisë mundësia për të hapur negociatat e aderimit, ndërsa Bosnjë-Hercegovinës mundësia për t’u bërë kandidat për aderim.

Pas këmbënguljes së Francës për të mos u ngutur me procesin e zgjerimit, Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk u janë hapur negociatat, vendim që e prisnin për këtë vjeshtë, ndërkaq Serbia e ka të kushtëzuar anëtarësimin me lidhjen e një marrëveshjeje finale me Kosovën.

Bodo Weber, ekspert gjerman për Ballkanin, në një intervistë për gazetën, ka thënë se iniciativa për “mini-Shengenin” duhet parë edhe në dritën e zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur me vendet e rajonit.

“Jam i sigurt se iniciatorët e idesë së ‘mini-Shengenit kanë rënë brenda atij konteksti. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, me gjithë pritjet për nisjen e negociatave për anëtarësim, u zhgënjyen. Franca nuk ka për qëllim mbytjen, por ndaljen e procesit të integrimit”, ka thënë Weber, i cili ka edhe një porosi. “Çdo nismë duhet të krijojë terren për anëtarësim të plotë dhe të sigurojë perspektivë të qartë evropiane për Ballkanin Perëndimor”.