Arbëri

Drejtoresha e BB-së për Ballkan: Kosova ka shumë të papunë, por pak punëkërkues

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Regjionale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se është e befasuar me numrin e vogël të kosovarëve që kërkojnë punë, pavarësisht se shkalla e papunësisë është e lartë.

Në një intervistë për Interaktiv të KTV-së, Van Gelder ka thënë se Kosova duhet të orientohet kah investimet e huaja direkte për të ndikuar në uljen e papunësisë.

“Kosova ka shkallë të lartë papunësie, por një nga shifrat që më ka befasuar më shumë kur fillova të punoj me Ballkanin Perëndimor, ishte jo thjesht shkalla e papunësisë, por sa të paktë janë personat që kërkojnë punë. Në Kosovë, për shembull, 6 nga 10 të rritur në moshë pune as që kërkojnë punësim. Për ta adresuar këtë çështje kërkohen veprime në dy anë. E para, si munden kompanitë të gjenerojnë më shumë punë më të mira? Dhe, e dyta, si mund të sigurohet që njerëzit kanë shkathtësitë e kërkuara dhe stimuj që të duan të hyjnë në tregun e punës”, ka thënë ajo.

E pyetur pse pak njerëz po kërkojnë punë dhe se a mund të jetë shkaku i humbjes së besimit se mund të gjejnë vend pune në Kosovë, Van Gelder ka thënë se kjo është temë pak e çuditshme.

“Kjo është temë pak e çuditshme dhe ka disa faktorë që kontribuojnë në të. Një mund të jetë dekurajimi për shanset e gjetjes së punës, ose të një pune të mirë. Por, mendoj se ka edhe çështje të lidhura me sistemin e sigurimeve sociale, që shpesh nuk shenjëstrohet. Në vend që përfitimet t’i shenjëstrojnë më të varfrit, duke pasur më shumë përfitime sipas kategorive, ato i dekurajojnë njerëzit nga kërkimi i punës”, ka thënë ajo.

“Mendoj se një nga konstatimet në mbarë vendet e Ballkanit Perëndimor, është se njerëzit janë të dekurajuar dhe të shqetësuar se nuk ka kushte të barabarta në aspektin e nivelit ku merren vendimet”, ka thënë ajo si përgjigje kur është pyetur nëse dekurajimi ndodh edhe për shkak të nepotizmit të lartë në Qeveri e institucione shtetërore.

Duke folur për rrugët që duhet të ndjekë Kosova për zvogëlimin e papunësisë, Van Gelder ka thënë se Kosova duhet të tërheqë investime nga jashtë e që rritja që bazohet në konsum të kalojë në model të orientuar drejt investimeve dhe sektorit privat. Sipas saj, objektiv i dytë për Kosovën duhet të jetë gjenerimi i punëve të mira për njerëzit, ndërsa në fushë të tretë ka shtuar se është forcimi i sistemit arsimor, në mënyrë që të diplomuarit t’i kenë shkathtësitë e duhura që të gjejnë punë të mira dhe të kontribuojnë për shtimin e tyre.

“Mendoj se Kosova mund të bëjë disa gjëra që ta forcojë mjedisin që tërheq investimet e huaja direkte dhe investimet vendore, po ashtu. Aktualisht, modeli i rritjes i Kosovës është mjaft i nxitur nga konsumi. Kosova duhet të tërheqë investime në kompani që mund të rriten dhe të krijojnë punë të mira. Janë disa gjëra që mund të ndihmojnë në këtë. E para është vendosja e kushteve të barabarta, në mënyrë që të gjithë të konkurrojnë mbi baza të barabarta. Disa nga reformat në vazhdim, për shembull për Administratën tatimore, janë duke ecur në atë drejtim”, ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm dhe një nga fushat në të cilat duhet të ketë orientim.

Van Gelder ka thënë se në 20 vjet partneriteti me Kosovën kanë pasur bashkëpunim të shkëlqyer. Ka shtuar se pret që të kenë partnerit të fortë edhe me qeverinë në ardhje.

“Aktualisht, kemi një program asistence që fokusohet në tri fusha. Një është rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat, tjetra është rritja e efikasitetit dhe përmirësimi i shërbimeve publike, kurse fusha e tretë është qëndrueshmëria mjedisore dhe fiskale. Besoj se këto janë prioritete thelbësore për Kosovën, dhe do të rezonojnë edhe me qeverinë e re në ardhje”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se fushat kryesore të fokusit të Bankës Botërore në Kosovë janë forcimi i konkurrueshmërisë së sektorit privat, përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve publike dhe sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe mjedisore.

“Një nga fushat e reja ku po konsiderojmë të angazhohemi, më shumë ka të bëjë me menaxhimin e burimeve ujore dhe sigurimin e burimeve ujore në Kosovë”, ka thënë tutje Van Gelder.