Arbëri

Sipas BERZH-it, Shqipërisë i duhen 80 vjet që të arrijë mesataren e të ardhurave të vendeve të zhvilluara

 

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largëta.

Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, tashmë do të na duhen 80 vite që të kapim mesataren e tyre në të ashtuquajturin proces të konvergjencës. Ky proces nënkupton që vendet me të ardhura të ulëta rriten më shpejt se ato të zhvilluara, në mënyrë që të kapin këto të fundit për nga standardet e jetesës. Nga rreth 25-30 vjet që shpresohej më parë se do të na duhej që të kishim të ardhura dinjitoze, tashmë kjo periudhë pothuajse është trefishuar.