Arbëri

Në 20 vjetët e fundit, 2500 kosovarë vdiqën në aksidente trafiku

Qarkullimi i shpejtë i veturave dhe mospërshtatja e shpejtësisë në rrugë, ka bërë që më shumë se 2 mijë e 500 persona të humbin jetën në aksidente trafiku, që nga paslufta.

Në përfundim të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare pa Viktima në Trafik, nënkoloneli Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit nga Policia e Kosovës, tha se këtë vit janë regjistruar 97 viktima në komunikacion.

E zvogëlimi i ndjeshëm i numrit të aksidenteve në trafik, sipas Rexhepit, ka ardhur si pasojë e masave parandaluese që Policia e Kosovës ka ndërmarrë, përmes gjobave dhe aktiviteteve të tjera vetëdijesuese.

Gjatë vitit të kaluar, në periudhën janar-tetor, Policia ka shqiptuar gjithsej 340.759 gjoba për shkelje të rregullave në trafik.

Derisa gjatë këtij viti, numri i tiketave të shqiptuara është për 8 për qind më i lartë, apo për 27 mijë e 611 tiketa të shqiptuara më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, dëmet ndaj kompanive të sigurimeve janë rritur për 5 për qind.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës se Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, kompanitë e sigurimeve, vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2019, kanë paguar 23 milionë euro dëme.