Qeveria paguan mijëra euro qira për zyrat që nuk i shfrytëzon Foto: Koha

Qeveria paguan mijëra euro qira për zyrat që nuk i shfrytëzon

Besnik Krasniqi Besnik Krasniqi 15 November 2019 07:05

Në emër të qirasë, prej tre muajsh shteti është duke çuar mijëra euro në konton e kompanisë “A2 GROUP”, ndonëse dy nga tri institucionet për të cilat janë lidhur kontratat nuk e kanë vendosur stafin e tyre në hapësirat e një godine të këtij biznesi privat. Edhe institucioni i tretë nuk është zhvendosur plotësisht, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Bujqësisë është një nga dikasteret qeveritare që ka firmosur kontratën për t’u zhvendosur në ish-ndërtesën “Ramiz Sadiku”, në një hapësirë të madhe të së cilës kompania ka pronësi. Njëjtë si ajo kanë vepruar edhe Ministria e Kulturës, si dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Dy ministritë kanë qenë të vendosura në qendër të Prishtinës, në ndërtesën që njihet si “Komiteti”. AZHB-ja, ndërkaq, ndodhet në ish-Bankën e Lubjanës.

“Koha Ditore” ka mundur ta shohë vetëm kontratën e qirasë me Ministrinë e Bujqësisë. Pas një kërkese për qasje në dokumente zyrtare, ky institucion ka krijuar mundësinë për ta parë dokumentin, por jo edhe për të marrë një kopje. Mbështetur në të, sipërfaqja bruto e hapësirës së re është 1.560 metra katrorë dhe çmimi për metër është 18 euro. Në total për muaj, kjo kontratë peshon 28.080 euro.

Kontrata e lidhur për një periudhë trevjeçare precizon se hapësira ndodhet në katin e tretë, të katërt dhe të gjashtë. Por zyrtarët, që ia kanë prezantuar dokumentin gazetës, kanë folur edhe për kate të tjera – nga i treti deri te i shtati. Gazetës nuk i është ofruar qasje në ndonjë kontratë të re për hapësirën tjetër dhe as aneks-kontratë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mm18/11/2019 10:58

A dihet kush eshte pronari i kesaj kompanie?

Shto koment

Të ngjashme