Arbëri

Afro 170 recensentë qe tetë muaj i presin pagesat nga MASHT-i

Foto: Driton Paçarada / Koha

Afro 170 recensentë që i kanë vlerësuar tekstet e reja shkollore nuk janë paguar tash e tetë muaj. Arsyeja, sipas burimeve të gazetës, është se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i ka formuluar kontratat e recensentëve në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për recensentët, vlerësimin dhe lejimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore, shkruan sot Koha Ditore.

Burimet kanë thënë se përderisa Udhëzimi Administrativ parasheh që secili recensent të paguhet nga 500 euro në muaj, në kontrata është paraparë shumë më e lartë.

“Në Udhëzim shkruan që për punën e bërë recensentët paguhen 500 euro në muaj e në kontratë shkruan 500 euro deri në 5 tekste”, ka bërë të ditur ky burim.

Recensentët po kërkojnë që MASHT-i t’i paguajë ashtu siç parashihet në kontratat që i kanë nënshkruar. Për vonesën e pagesave të tyre recensentët janë ankuar tash e disa herë në Ministrinë e Arsimit.

Recensenti Fitim Uka thotë se janë të zhgënjyer që MASH-i po e zvarrit pagesën e tyre për vlerësimin e teksteve.

“Asnjë cent nuk e kam marrë. Ky veprim është joprofesional. Kërkojmë nga MASHT-i që t’i përmbahet kontratës, sepse me ato kushte është punuar. Në rast se nuk i përmbahet do të ballafaqohet me drejtësinë”, ka deklaruar ai.  (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)