Arbëri

Për 31 për qind është rritur numri i foshnjave të braktisura krahasuar me vitin paraprak

Për 31 për qind është rritur numri i foshnjave të braktisura krahasuar me vitin paraprak në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nga janari deri në tetor të vitit 2019, sipas të dhënave të Klinikës së Neonatologjisë, janë regjistruar 38 foshnja të braktisura, apo nëntë më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Prej tyre pas bisedës me punëtorin social dhe me stafin e Klinikës, 23 foshnja janë marrë nga familjarët nën përkujdesje, 12 janë trajtuar si raste sociale, ndërsa dy foshnja për momentin janë në Klinikë. Një foshnjë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur për gazetën drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci.

Klinika e Neonatologjisë trajton të gjitha foshnjat e braktisura në Klinikën Obstetrike – Gjinekologjike, po ashtu, edhe ato që mund të braktisen në ambientet e tjera që sillen në klinikë nga punëtorët socialë dhe policia. Sipas drejtorit Gojnovci, kjo klinikë trajton foshnjat e braktisura nga 0 deri në 28 ditë, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë vitit 2018, për periudhën janar-dhjetor, Klinika e Neonatologjisë ka trajtuar 29 foshnja të braktisura, ku nëntë prej tyre janë trajtuar si raste sociale.

“Arsyet më të shpeshta të braktisjes së foshnjave janë problemet bashkëshortore, kushtet ekonomike, lidhjet jashtëmartesore”, ka theksuar ai.

E në mungesë të nënës këtyre foshnjave përqafimin e parë ua ofron kryeinfermierja Lushe Jusufi, e cila qe 40 vjet punën në repartin e fëmijëve të braktisur në Klinikën e Neonatologjisë. Ajo ka treguar se kujdestaret që punojnë në këtë repart krijojnë një lidhje shumë të afërt dhe kujdesen si ta kenë fëmijë të vetin.

“Lidhemi sikur një nënë që kujdeset për fëmijën e saj. Edhe në shpi i kam traumatizu me këta fëmijë të gjithë i duan prej së largu. Janë fëmijë të mirë e shumë të dashur. Këta janë fëmijë të dashurisë, por në të njëjtën kohë janë fëmijë të padëshiruar”, thotë Jusufi.