Arbëri

Projektligjet që mbetën në gjysmë të rrugës, kthehen në fillim apo do të rishikohen

Descriptive Text

Një numër i madh i projektligjeve mbetën në gjysmë në legjislaturën e kaluar, pasi që, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Me formimin e legjislaturës së re të gjitha këto projektligje pritet të kthehen në pikën zero, pasi që kështu e parasheh rregullorja e Kuvendit të Kosovës.

Kështu thonë për KosovaPress edhe njohës të punës së Kuvendit, por ndryshe mendojnë nga partia që fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi në një prononcim për KosovaPress në një mënyrë e mohon atë që e thotë rregullorja, duke thënë që do të shikojnë se a kanë nevojë ligjet për rishikim të plotë, apo vetëm për plotësim përmes amendamentimeve. Bislimi: Do të shikohet a kanë nevojë projektligjet për rishikim të plotë

“Ka qenë e palogjikshme në të kaluarën që për hapat në parlament janë pyetur subjektet politike ose Qeveria. Nën qeverisjen e Vetëvendosjes Parlamenti do të gëzojë pavarësinë e plotë. Do të jetë e palogjikshme dikush nga subjektet politike me iu tregu atyre se si me vepru me projektligje. Ata janë të gjithë ekspertë, të paktën të LVV-së dhe do të trajtojnë a ka nevojë ligjet për rishikim të plotë”, tha Bislimi.

Por ndryshe nga nënkryetari i Vetëvendosjes, mendon Arton Demhasaj nga organizata Çohu, i cili thotë se kthimi në pikën zero i ligjeve që kanë qenë në procedurë është i rregulluar me ligjet e Kosovës.

“Të gjitha projektligjet që kanë qenë në proces deri në momentin që kanë qenë në proces, në bazë të legjislacionin aktual që është në fuqi duhet të kthehen në pikën zero sepse kështu është e rregulluar me ligjet tona. Pra kthehen në pikën zero dhe duhet të fillohen nga fillimi, të trajtohen qoftë në nivel ministror, qeveritar dhe pas saj të kthehen në kuvend për shqyrtimin e parë dhe të dytë”, thotë Demhasaj.

Njëjtë shprehet edhe profesori universitar Mazllum Baraliu. Sipas tij, projektligjet kthehen në pikën zero, pasi që, secila Qeveri i ka politikat e saja duke i përfshirë e dhe ato për ligje.

“Të gjitha çështjet e filluara dhe të mbetura në proces, ose gjysmë në proces duhet të kthehen përsëri në zero. Për arsye se çdo politike e re qeverisëse, ka politikat e saj edhe në frymën e nxjerrjes së ligjeve, përgatitjes së saj. Çdo legjislaturë mund të ketë konfiguracion tjetër, siç mund të ketë edhe ky”, thotë ai.

Në nenin 86 të rregullores së Kuvendit sqarohet edhe për punët e pambaruara të Kuvendit.

“Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të përfunduara. Kjo nuk gjen zbatim në rastin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi e të proceduara për shpallje, si dhe të peticioneve dhe të atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Në legjislaturën e kaluar njëra ndër projektligjet që u diskutua më shumë për shkak të pakënaqësive ishte ai për financimin e partive politike./ KsP.