Arbëri

Nga 970 persona të regjistruar në “Down Syndrome Kosova”, vetëm 8 të punësuar

Organizata “Down Syndrome Kosova” ka arritur që përmes programeve që i aplikon t’i aftësojë për punë shumë persona që janë të prekur me sindromën Down. Por vetëm tetë prej tyre kanë arritur të punësohen.

Udhëheqësja e programit për intervenim dhe edukim të hershëm në “Down Syndrome Kosova”, Ermira Shabani, tha se të regjistruar janë rreth 970 persona derisa përmendi edhe rastet e tjera të cilët nuk e dinë që ekziston shoqata.

“Ne në statistikat tona kemi të regjistruar rreth 970 , mirëpo ne mendojmë që është numri akoma më i madh për shkak se ka raste që nuk e dinë se ekziston shoqata “Down Syndrome Kosova” dhe që nuk i kanë të regjistruar. Numri i të punësuarve është diku rreth 8 persona disa janë në Mitrovicë në Prishtinë dhe Prizren”.

Shabani thotë se mungon përkrahja institucionale e duhur dhe përkrahja e vetme që ata gjejnë nga institucionet janë projektet.

“Mirëpo shërbimet realisht nuk është se financohen nga shteti, ndërsa në vendet e zhvilluara ato financohen nga shteti, mirëpo në Kosovë një gjë e tillë nuk ndodh. Kryesisht mbështetja që e gjejmë prej institucioneve shtetërore është vetëm për projekte”, ka thënë ajo.

Sipas saj programet që i ofron shoqata janë ato të edukimit dhe intervenimit të hershëm ku në kuadër të këtij program ofrohen shërbime psiko-sociale dhe fizioterapi për fëmijët me sindromën Down.

“Ne vazhdimisht punojmë në gjithë-përfshirjen duke filluar prej ofrimit të shërbimeve terapeutike dhe të aftësimit dhe për autonomi dhe gjitha këto shërbime ndihmojnë individin me sindromën Down ta zhvilloj potencialin e tij dhe të aftësohet për një jetë të pavarur dhe rrjedhimisht për të qenë pjesë aktive e shoqërisë. Më pas punojmë shumë edhe sa i përket gjithëpërfshirjes në shkolla sa i përket aftësimit profesional dhe punësimit. Ky program luan një rol shumë të rëndësishëm në përgatitjen e personave me sindromë për një jetë të pavarur dhe treg të punës tha Shabani për Ekonomia Online.

Shabani shtoi se është ngritur dukshëm niveli i vetëdijes, por sipas saj familjet nuk po ngurojnë t’i sjellin fëmijët në shoqatë.

“Nëse e marrim si pikë referimi të kaluarën mund të themi se jemi mirë dhe po shkojmë drejt një niveli më të lartë të ndërgjegjësimit mirëpo nëse krahasojmë veten me vendet e zhvilluara mbetet akoma shumë mbrapa. Jo realisht janë shumë aktiv, shoqata “Down Syndrome Kosova” është shoqata e themeluar prej prindërve, Kuvendi, bordi drejtues dhe të gjithë janë prindër të fëmijëve me sindromë dhe kështu që shoh që janë shumë të lidhur me shoqatë dhe nuk e kanë problem”, tha ajo për EO.