Paralajmërimi për ndalje të qarkullimit të trenit ka shqetësuar udhëtarët e rregullt

Fitim Majkovci 09 November 2019 21:22

Adem Hasili është banor i fshatit Bardh të Fushë Kosovës, i cili udhëtimin e tij drejt kryeqendrës ka vendosur ta bëjë me tren. Për të dhe shumë bashkëfshatarë të tij, treni është mjet më i shpejtë dhe më i lirë.

Për profesorin Hasilin, udhëtimi me tren mundëson ikje nga kaosi në trafik, raporton KTV.

Por, ajo çka e ka shqetësuar më së shumti atë, është protesta e mbajtur nga punëtorë të “Infrakosit’’, ku u tha se qarkullimi me tren, do të ndalet në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ndonëse pensionisti i përkrah këto ankesa, thotë se ndalja e qarkullimit të trenave do t’i dëmtonte shumë.

Ruzhdi Mjeku thotë se transportin hekurudhor e shfrytëzon që nga paslufta.

Mjeku thotë se të shpeshta i ka udhëtimet me tren nga Prishtina dhe se do të duhej që protesta e punëtorëve të mos ndikojë në transportin e udhëtarëve.

Të tjerë qytetarë, transportin hekurudhor e shohin si të domosdoshëm, edhe për shkak të çmimeve të lira për udhëtim nëpër destinacione.

Se ka shumë qytetarë që shfytëzojnë transportin hekurudhor, e thonë edhe punëtorë të ndërmarrjes “TrainKos’’.

Derisa shtojnë se janë përkrahës të protestës së sindikalistëve të Infrakosit dhe se të dyja palët nuk mund të funksionojnë ndaras.

Nga Prishtina me tren aktualisht mund të udhëtohet për në Pejë, derisa treni ndalet nëpër fshatra të komunës nëpër të cilat kalon.

Banorët e Bardhit, sipas Komunës së Fushë Kosovës kanë edhe linjë të transportit publik me autobusë. Megjithatë, sipas banorëve, udhëtimi me autobusë zgjat deri në 40 minuta, ndërsa ai me tren vetëm 20 minuta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme