Kreu i BSPK-së s’e lëshon pozitën, akuzohet se po vazhdon ta mbajë atë jashtëligjshëm

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 09 November 2019 20:46

Avni Hajdini që nga 9 shtatori, jashtëligjshëm po qëndron në krye të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ai në këtë datë, u pensionua dhe në bazë të statutit të BSPK-së dhe Ligjit për Organizimin Sindikal të Kosovës, ai do të duhej ta lironte këtë pozitë, raporton KTV.

Por, ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë tash e dy muaj.

Dhe kjo, pavarësisht faktit se ai vetë kishte iniciuar ndryshimin e nenit të statutit aktual që parasheh pensionimin.

Rezistenca e Hajdinit për të mos e liruar karrigen e kryetarit po konsiderohet e paligjshme nga anëtarët e tjerë të BSPK-së.

Vetë Hajdini nuk e pranon se po bën ndonjë shkelje ligjore, derisa i quan lojëra të këqija veprimet dhe deklarimet e anëtarëve të tjerë sindikalë.

Sipas tij, dikush po mundohet që t’i fusë duart në BSPK për interesa personale, gjë të cilën thotë se nuk do ta lejojë.

Sipas tij, statuti i cili është në fuqi, nuk vlen për të, por për kryetarët e tjerë në ardhje, ngase ai është zgjedhur me rregulla të vjetra.

Sidoqoftë, sindikalistët e tjerë tashmë kanë thirrur mbledhjen e Këshillit të BSPK-së për në fundjavë dhe aty pritet të vendoset nëse do të zgjidhet ushtrues i detyrës së kryetarit, ndonjëri nga dy nënkryetarët aktualë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme