Arbëri

Kurti në Gjermani: Kemi pasur ministri për diasporë, por jo diasporë në ministri

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili po pret të marrë postin e kryeministrit të Kosovës, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga ai, për mërgatën do të angazhohet bashkë me diasporën. Sipas tij, Kosova ka pasur Ministri të Diasporës, por nuk ka pasur diasporë në ministri.

Në kongresin e dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve që po mbahet në Frankfurt të Gjermanisë, Albin Kurti ka thënë se me qeverinë e re do të krijojnë qendra kulture për të cilat shteti kujdeset që kultura e historia e brezave të mësohet nga fëmijët kudo.

“Deri tani vërtetë kemi pasur Ministri të Diasporës, por nuk mund të thuhet fort që kemi pasur diasporë në ministri. Pra në vend që në këtë ministri, ministri dhe pjesa më e madhe pjesa e stafit të ishin nga diaspora, dhe kjo të kthehej në shembull të kthimi të trurit, është për keqardhje që aty jo rrallë u vendosën njerëzit që nuk mund të lavdërohen për trurin e tyre dhe që mundësuan ikjen e tyre. Prandaj, angazhimi ynë institucional për diasporën do të bëhet me diasporën”, tha Kurti.

Ai tha se rolin e diasporës shqiptare e shohin si vlerë kulturore ekonomike.

“Ju jeni pasuria jonë që çdo popull do ta kishte lakmi, por sikur çdo pasuri tjetër edhe kjo e juaja është e tillë vetëm nëse ne dimë ta përdorim për të mirën e përbashkët, parat që i dërgoni e të cilat shpesh herë janë jetike për bashkëqytetarët tanë në Kosovë, shkojnë për konsum e mallra dhe shërbime të cilat përgjithësisht ne nuk i prodhojmë. Shkathtësitë dhe njohuritë që i posedoni do të ua mundësojmë që të kthehen në biznese të reja në investime strategjike e në udhëheqje ndërmarrjesh që do të hapin vende të reja të punës, por do të ju lidhin edhe juve më shumë me atdheun tonë. Me pak fjalë dashurinë e pakmpromis që e keni për atdheun, nga i cili nuk kërkoni asgjë por vetëm i dhuroni gjithçka, ka ardhur dita ta kthejmë në partneritet strategjik për të mirën e vendit tonë”, shtoi Kurti.

Para qindra përfaqësuesve të bizneseve shqiptare e gjermane, Kurti premtoi se do të mundësojnë votën e lirë, ku siç tha ai e drejta e votës për mërgimtarët do të garantohet, dhe do të votohet në ambasada e konsullata, aty ku janë në përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë.

Në punimet e Kongresit të dytë ekonomik të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, që po mbahet Frankfurt, u diskutua për partneritetin publiko-privat në komunat e Kosovës.

Nga bizneset shqiptare në Gjermani u tha se institucionet duhet të krijojnë lehtësira për investime, duke rregulluar ligjet, në mënyrë që të investohet më shumë në Kosovë.

Gani Nuha anëtar në Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani, tha se qeveria e re në Kosovë duhet të punojë shumë në mënyrë që investitorët në diasporë që duan të kontribuojnë në Kosovë, të kenë mundësi të investojnë aty.

“Ju duhet me shtruar rrugën, kur duan ta bëjnë një investim në komuna, të jetë ashtu që është edhe në favor të komunës edhe në favor të kompanisë, edhe në favor të qytetarëve. E këto gjëra duhet urgjent me i ndryshuar, unë shpresoj që qeveria e ardhshme ka më bë shumë, se ne e kemi vullnetin me qenë pranë Kosovës, me financa, me shku në Kosovë me financu. Unë e kam bë shumë investime”, tha ai.

Edhe sipas Zenun Krasniqit nga ky union, ka ende shumë vend për përmirësime dhe një nga shqetësimet, ai e theksoi çështjen e energjisë elektrike.

“Kur folët për prodhim, e kemi problemin kryesor në Kosovë që është energjia elektrike, që është bazë për treg. Kemi shumë probleme që vendet e tjera të rajonit i kanë kryer moti, për këtë arsye pres që qeveria e ardhshme, problemin e parë me energjinë elektrike duhet me siguruar dhe stabilizuar për prodhues vendor, që me qenë ne të barabartë me vendet e tjera të rajonit”, tha ai.

Ai shtoi se janë të gatshëm për investime në Kosovë dhe se ka shumë të tillë, që kanë interesim për të investuar në Kosovë, dhe siç theksoi ai, kjo është fitimprurëse.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se duhet menduar për zëvendësimin e importeve.

“Një mundësi shumë e mirë për investime, është fakti që kemi ndryshuar Ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronave. Kryetarit të komunës i mundëson të negociojë me investitorë potencial, për të dhënë në shfrytëzim pronat në komunat tona. Pra nëse investim i është më i madh se 10 përqindëshi i inevstimeve kapitale në komunë, p.sh. në Prishtinë, nëse investimi është më i madh se 3 milionë euro, por jo më shumë se 20 milionë euro, në fusha të caktuara të prodhimit, atëherë është procedurë tepër më e shpejtë për t’i thënë një investitori eja se tokën, pronën e ke falas, nëse investon në prodhim. Ne në Komunë të Prishtinë kemi mjaftueshëm prona që t’i themi investitorëve nëse do të investojë në prodhim, e prodhim që i zëvendëson importet dhe krijon vende të punës, ne jemi të gatshëm që pronën ta japim falas”, tha Ahmeti, raporton KosovaPress.