Arbëri

Shabani-Bajraktari: Institucionet nuk e shohin të arsyeshme integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Descriptive Text

Leonora Shabani-Bajraktari, asambliste në Komunën e Prishtinës dhe aktiviste për të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, ka thënë se komunat e Kosovës nuk e kanë parë asnjëherë të arsyeshme integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në mësimin e rregullt.

Sipas saj këta fëmijë kanë qenë gjithmonë të margjinalizuar, duke shtuar se si shoqëri asnjëherë nuk është bërë sa duhet për këtë kategori.

Shabani-Bajraktari thotë se vetëm 48 asistentë në komuna të ndryshme janë angazhuar për fëmijët me nevoja të veçanta, duke kritikuar mos angazhimin e 12 asistentëve në Komunën e Prishtinës.

“Kam kërkuar nga drejtoresha e arsimit që të tregojë pse nuk janë angazhuar 12 asistentët për fëmijët dhe ka thënë se është një gabim në linjat buxhetore”, ka thënë ajo në Express Intervista të KTV-së.

Sipas saj, në Komunën e Prishtinës jo çdo gjë e ka në dorë Drejtoria e Arsimit, pasi thotë se shumë çështje janë në dorën e burimeve njerëzore.

“Unë duke i parë drejtoritë e Arsimit në komuna të ndryshme mund të them se është një diskriminim i madh i fëmijëve sepse askush nuk e ka interesimin t’ua ofrojë shërbimin që ata kanë nevojë. Fëmijët që janë në karroca kanë mundësi të kufizuara që t’i ndjekin disa lëndë mësimore për shkak të infrastrukturës shkollore. Fëmijët me nevoja të veçanta asnjëherë nuk kanë qenë primar as në nivelin qendrorë e as atë lokal”, ka thënë ajo.

Ajo tutje shton se në vazhdimësi ka bërë apel te prindërit që të punohet me dashuri për fëmijët e tyre, duke shtuar se nuk kanë kohë të presin deri sa të bëhet qeveria.

Ajo thotë së e ka dorëzuar një iniciativë tek Ministria e Arsimit, për obligimin e studentëve të Fakultetit të Edukimit që ata të punojnë duke e lehtësuar punën e mësuesit mbështetës.

Ajo thotë se fillimisht kishte gjetur mbështetje, por nuk u arrit asgjë.

“Unë kam filluar t’i takojë shkollat dhe drejtorët e tyre ku unë i sjellë vullnetarët por ata pajisen me certifikatë. Tash ka filluar që të ofrohen shërbimet e logopedit. Tash është e rëndësishme që të ofrohen shërbime të nevojshme për fëmijë. Ministria e Arsimit nuk ka bërë asgjë edhe pse nuk ka pasur as edhe implikime buxhetore”, ka shtuar ajo.

Duke folur për vërejtjen në raportin e progresit lidhur me këtë kategori, ajo thotë se vajza e saj e ka pasur të pamundur me pas shërbime e medikamente, ku shteti nuk i ka ofruar asnjë shërbim.

“Njerëzit e pushtetit asnjëherë nuk i kanë vizituar fëmijët përveç në kohë të fushatave. Fëmijët me nevoja të veçanta që kanë të drejtë përkrahje nga shteti, nuk kanë të drejtë as të jetojnë”, ka shtuar ajo tutje.

Ndërkaq për greva, ajo ka thënë se i ka përkrahur grevat e mësimdhënësve por se shton se e ka parë të pa arsyeshme rehatinë e prindërve, të cilët sipas saj, e kanë duruar pjesën e arsimimit në mënyrë të vrazhdë dhe pa kushte elementare.

“Ne si prindër nuk jemi dalë në protesta për me kërku të drejta për fëmijët tanë. Jam habitur kur nuk është votuar asistenti për fëmijë me nevoja të veçanta. Nuk e kam parë të arsyeshme pse nuk është organizuar protestë për këtë. Heshtja e organizatave më ka irrituar”, ka thënë tutje ajo.