Sejdiu thotë se fajtorët pse LDK-ja s’doli e para duhet të japin përgjegjësi Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Sejdiu thotë se fajtorët pse LDK-ja s’doli e para duhet të japin përgjegjësi

03 November 2019 12:10

Mosradhitja e LDK-së si parti e parë në zgjedhjet e 6 tetorit duhet të përcillet me përgjegjësi konkrete. Nuk duhet të shkohet në vazhdimësi duke humbur zgjedhjet dhe mos të ketë reflektim karshi tyre. Zgjedhjet kanë qene të rregullta me një ecje pak më pozitive se proceset e mëhershme, ka thënë në një intervistë për KosovaPress, ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Sejdiu thotë se duhet bërë një analizë e mirëfilltë nga LDK-ja, për të shikuar premtimet që janë bërë dhe realizimin e tyre.

“Ata duhet të shohin vetveten, secili njeri për atë që ka premtuar dhe çka ka dalë karshi atij premtimi, si rezultat ose mos rezultat. Edhe çështje të tjera që një subjekt politik për të qenë i shëndosh në gjithë raportet e veta duhet të shohë vetën mirë... sipas kësaj duhet të ketë një analizë të mirë. Ata që kanë faje të caktuara duhet të jepet përgjegjësia për to, sepse nuk shkohet në vazhdimësi të humben proceset zgjedhore dhe pastaj të ketë një kapërcim shumë të lehtë karshi tyre”, thotë Sejdiu.

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, thotë se LDK-ja është e hapur për një koalicion me LVV-në, i cili sipas tij, duhet të formohet mbi interesin e Kosovës dhe qytetarëve.

“Unë dua të besoj në interesin e Kosovës që duhet të jetë më së miri. Nëse këto duan të hynë në koalicion duhet të kenë parasysh edhe nuanca të mëdha, flas ato që duhen të jenë pikë e përbashkët qeverisëse janë interesi i vendit dhe qytetarëve”, thotë Sejdiu.

Në lidhje me procesin zgjedhor të këtij viti, Sejdiu thotë se ka qenë më korrekt se herët të tjera.

“Përgjithësisht ka qenë një proces korrekt me një ecje pak më pozitive se proceset e hershme. Rezultati është ky që është dhe unë nuk them që ai mund të kontestohet. Mund të kontestohet ajo pjesa e parregullsive që kanë ndodhur në proces. Borxh i vendit dhe institucioneve që të ketë një kujdes të veçantë që mos të ketë një depërtim të atyre që e menaxhojnë negativisht vullnetin e qytetarëve”, pohon Sejdiu.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, radhitet e para, e pasuar nga LDK. Ndërkaq, kjo e fundit prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004, nuk ka mundur të fitojë asnjë proces zgjedhor.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme