Arbëri

Përvjetori i 20 i vrasjes së pazbuluar, djali i Haki Imerit akuzon Thaçin e SHIK-un

Kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja Haki Imerit, ish-kryetar i LDK-së në bashkësinë e Turiçevcit dhe anëtar i Kryesisë së degës së kësaj partie në Skenderaj. Ai qe ekzekutuar në Aqarevë, për të mbetur e pazbuluar edhe sot e kësaj dite se kush dha urdhër e kush e kreu aktin.

Djali i ish-aktivistit tashmë të ndjerë të LDK-së, Kastriot Imeri, ka shprehur akuza të rënda në drejtim të asaj që e ka quajtur “skuadra vrasëse e SHIK-ut”. Në një postim të gjatë në profilin e tij në Facebook, Imeri akuzon aktualisht kreun e shtetit, Hashim Thaçi, si të involvuar në këtë rast, e që në atë kohë ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.

Thaçi, në janar të vitit 2017, në cilësinë e presidentit e kishte dekoruar Haki Imerin me urdhrin “Hero i Kosovës, Hero i Kombit”. Medaljen e kishte marrë Imer Imeri, vëllai i Hakiut, i cili për vite rresht ka drejtuar gishtin kah Hashim Thaçi për vrasjen e ish-aktivistit të LDK-së. Gazeta “Koha Ditore” më 19 janar të atij viti, kishte raportuar për vizitën e përbashkët që presidenti dhe Imer Imeri kishin bërë te varri i të ndjerit, duke vënë lule. Imer Imeri aty më nuk shprehte dyshimin në Thaçin. Por pjesa tjetër e familjes e kishte bojkotuar këtë ngjarje, që kishte ardhur pas një vizite që Hashim Thaçi kishte bërë familjes Imeri në nëntorin e 2016-ës. 

“Presidenti po e shfajëson veten. Ai tha: ‘jam i zoti me t’u la, që as hak e as hile në këtë punë nuk kam’”, kishte thënë Imer Imeri, pak kohë para se me presidentin të vinte lule mbi varrin e të vëllait. “Sipas Kanunit, gjithmonë me be është la gjaku. Më tha: ‘jam i zoti me të ba be qysh e kërkon ti, qysh e kërkon kombi, Kanuni. Me sa njerëz të dush të baj be’. Njeri kur të të lahet me sa pleq të dush, besoj që ata nuk janë as pula e as knojsi”.

Më 2 nëntor të vitit 1999, Haki Imeri ishte duke ecur prej shkollës në fshatin Vojnik, ku ai ishte mësues, në drejtim të shtëpisë së tij, në fshatin Turiqevc, kur ai është marrë nga tre persona që dyshohet të kenë qenë policë të UÇK-së, shkruante Koha Ditore. Një mik i Imerit ishte duke ecur me të. Ai pati deklaruar se të tre burrat i kishin thënë Imerit se duhej të shkonte me ta, për t'iu përgjigjur disa pyetjeve. E kishin futur në një veturë dhe ishin larguar nga zona. Rreth orës 19:00, familja e Imerit është informuar se ishte gjetur i vrarë.

Akuzat në drejtim të Thaçit dhe krerëve të ish-SHIK-ut tash të PDK-së, janë rikthyer nga djali i të ndjerit, me rastin 20 vjetorit të vdekjes.

Ai ka thënë se sot bëhen 20 vjet nga vrasja e parë politike në Kosovën e pas luftës.

“Kidnapohet me një veturë të zezë në fshatin Burojë që ishte në pronësi të një organizate kriminale. Haki Imeri, kryetar i LDK-së në bashkësinë e Turiçevcit dhe anëtar i Kryesisë së degës së kësaj partie në Skenderaj ekzekutohet po të njëjtën ditë në fshatin Aqarevë”, thotë Kastriot Imeri, që nuk dyshon se “motivi i vrasjes është politik, e urdhërdhënësit janë tashmë të njohur, ndërsa vrasësit janë anëtarë të Skuadrës Vrasëse të SHIK-ut”.

“Organizimi i kësaj vrasje politike ndërlidhet në mënyrë direkte me kreun e PDK-së dhe të tjerëve pranë tij, këtu nuk kemi dyshime as dilema”, ka thënë ai.

Imeri ka thënë se presin zhvillimet që do t’i sjellë e ardhmja, “edhe pse skenarë të mundshme për eskalimin e situatës mund të ketë kur dihet se krerë të krimit të organizuar do të ballafaqohen me të kaluarën e tyre të bujshme kriminale në proceset e ardhshme”.

“Pas luftës kemi përjetuar ne si familje, por edhe shoqëria jonë në përgjithësi, dhunë të theksuar politike, e cila vinte nga krerë politikë që veten e quanin ‘drejtori politike çlirimtare’, ani pse e vërteta është se këta u vërtetuan se ishin dhe janë grabitqarë. Kosovën e çliroi pakti i NATO-s, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kaluan shpejt 20 vjet, por malli dhe dhembja janë të freskëta për Hakinë tonë, ndërsa situata jonë shpirtërore bëhet edhe më e vështirë sepse drejtësia nuk e tha akoma fjalën e saj tash e 20 vjet”, ka thënë më tej ai.

Ai thotë se “ndoshta së shpejti do të vijnë lajme të mira për ndriçimin e kësaj vrasje dhe vrasjeve të tjera politike”.

“Ata që i anatemuan, linçuan njerëzit atdhetar dhe pastaj i vranë për të grabitur pushtetin dhe paranë publike, vendin e kanë në burg. Historia do të hedhë dritë mbi veprimtarinë e tyre antikombëtare, antishtetërore dhe me mentalitet barbar. Fundi i tyre nuk do të jetë ai që e dëshiruan dhe dëshirojnë, për këtë fakt jemi të sigurt dhe jemi të armatosur me durim që t’u bëjmë ballë skenarëve mesjetarë që prodhohen natën për të nënshtruar shoqërinë, shtetin dhe familjen”, ka thënë ai.

Imeri ka thënë se gjatë kësaj periudhe 20 vjeçare si familje janë përballur me dhembje, kriza psikologjike të pakëndshme, mirëpo thotë se nuk janë dorëzuar, dhe kanë vazhduar me këmbëngulje të kërkojë drejtësi, në vazhdimësi.

“Kështu po i përballojmë të gjitha kurdisjet e njëpasnjëshme, ndërskamcat, skenarët e shkaktuara nga po këto personazhe që iniciuan, urdhëruan, organizuan vrasjen e më të dashurit tonë, Haki Imerit. Ndriçimi i krimeve makabër, politike është kushti themelor i ndërtimit të shtetit dhe funksionimit të një shoqërie me të ardhme paqësore dhe dinjitoze që synim parësor e ka integrimin në Bashkësinë Europiane. Ardhja e këtij grupimi politik në majat e pushtetit me vrasje, e ka dërmuar shoqërinë tonë për dy dekada të pas çlirimit”, ka thënë ai.

Image

Ai ka thënë se shumë herë janë ballafaquar me pyetjen se kush e vrau Haki Imerin?

“Përgjigjen për këtë e prisnim nga organet kompetente sepse ato e kishin mandatin të jepnin përgjigje në një pyetje të tillë edhe pse nuk na mungonte njohuria në lidhje me këtë krim të llahtarshëm, i cili është bërë nga SHIK-u, shërbim i cili është krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, të cilën e drejtonte si në aspektin politik edhe të nëntokës, Hashim Thaçi”, ka thënë Kastriot Imeri, duke shtuar se meqë këtë vrasje e bën njerëz të SHIK-ut, kjo organizatë ka një strukturë komanduese dhe të njohur.

“Vrasja ndodhi në mandatin e Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit, dhe fati jonë i vetëm është që këtë mandat kriminal e kap, mandati i Gjykatës Speciale, dhe shpresojmë në rezultate për të sjellë drejtësinë e anashkaluar, manipuluar dhe mbuluar, që për qëllim e kish te mos të ndriçohej e vërteta, sepse e vërteta u vë pranga krerëve të mafias politike, të cilët së shpejti mund të akuzohen për krime ndaj shqiptarëve nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë me seli në Hagë”, ka thënë ai.

Imeri ka shtuar tutje se “kishin kaluar pothuajse dy dekada nga vrasja dhe kreu i PDK-së Hashim Thaçi nuk na ishte lajmëruar, kurrë, madje as për të shprehur ngushëllime, sepse ishte vrarë edhe mësuesi i tij dhe kujdestari i klasës”.

“Pas gjithë kësaj periudhe të gjatë, një ditë, ‘papritmas’ kishte vendosur të vinte në shtëpinë tonë. Me datën 22 nëntor 2016 erdhi në shtëpinë tonë në fshatin Vojnik, i shoqëruar nga dy veta. Kjo ardhje nuk ishte e rastësishme, ishte parapërgatitur me të vetmin qëllim dhe motiv për ta la veten për këtë krim dhe për t’ua hedhur fajin të tjerëve, shokëve të tij. Erdhi kah ora 19.00 në mbrëmje dhe qëndroi deri në ora 21.30 min duke u ‘larë’ e ‘shpërlarë’ se ai vetë nuk ka gisht në këtë vrasje, por shokët e tij”, shkruan Imeri, teksa shtron pyetjen se “pse iu desh të mos na kujtonte kurrë as ne të gjallëve dhe as mësuesin e tij të vrarë, për më tepër se një dekadë, e befas të vendoste të sqarohej me ne, Hashim Thaçi?”

“Kjo ‘vizitë’ e tij do të sqarohet në të ardhmen”, thotë më tej.

Ai thotë se janë marrë dhe do të merren për aq sa munden me ndriçimin e vrasjes së më të dashurit të tyre, Hakiut.

“Do të bashkëpunojmë me Dhomat e Posaçme dhe shpresojmë që Gjykata Speciale do t’i japë një epilog këtij rasti, por edhe rasteve të tjera të shumta, të cilat drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e Kosovës nuk i ndriçuan dhe nuk do t’i ndriçonin kurrë”, ka thënë ai.

Ai kujton se pas vizitës në familjen e tij, kreu i shtetit Hashim Thaçi i bëri thirrje publike prokurorit Lumezi që të hetonte dhe ndriçonte vrasjet me motive politike.

“Ne e dimë se këtë e bëri sa për sy e faqe, sa për të bindur e manipuluar opinionin se kinse Hashim Thaçi nuk ka dorë në organizime të dhunës sistematike me motive politike, është kundër krimeve, dhe po kërkonte ndriçimin e vrasjeve politike. Ka nga ata që edhe u besojnë deklaratave të rrejshme e mashtruese të tij”, ka thënë Imeri.

Tutje ai shtron pyetjen se a i konvenon Hashim Thaçit ndriçimi i vrasjes së Behadin Hallaçit, Ali Ukajt, Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Haki Imerit, Xhemajl Mustafes, Ismet Rracit, Smajl Hajdarajt, Shaban Manaj, Bekim Kastratit, Besim Dajakut e shumë të tjerëve...!

“Të gjitha ngjarjet që lidhen dhe ndërlidhen me akte kriminale që bazë e kanë motivin politik, likuidimin e rivalëve te tij, gjatë dhe pas luftës janë hetuar, po hetohen, do zbulohen dhe do të dënohen . Historia do të shkruhet me fakte, fati i vetëm i viktimave politike është se vrasjet e tyre do të ndriçohen patjetër”, ka thënë Imeri.

Ai ka thënë se familjarët do të pajtohen me drejtësinë dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë rrjedhën e përparimit në të gjitha aspektet.

“Data 2 nëntor 1999 është dita kur është bërë krimi i llahtarshëm ndaj Haki Imerit, dhe me datën 22 nëntor 2016, krimi makabër është konfirmuar nga vet z. Thaçi me ardhjen e tij në shtëpinë tonë për të na treguar se kush ishte urdhërdhënësi dhe kush ishin vrasësit, realisht dëshmojë kundër vetvetes”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Ai kishte një intencë, të (dez)informonte me qëllim që vet të shmangej nga epiqendra e ngjarjes tragjike e 2 nëntorit. Kërkesa e tij që të dëshmonte vullnetarisht kundër shokëve të tij për rastin e Hakiut, ishte e mirëpritur, por dëshmia e tij është tinëzare, hileqare, madje edhe e rrejshme dhe si të tillë do ta trajtojmë përgjithmonë”, ka shtuar më pas.

Imeri thotë se tash po bëhen tri vjet qysh kur Thaçi, siç ka thënë u solli lajme me gjemba.

“Po bëhen tri vjet që nxiti konflikte të brendshme, me të cilat jemi duke u përballur edhe sot. Po bëhen tri vjet që lufta speciale e Thaçit kundër familjes sonë nuk ka të ndalur dhe kundër këtij skenari kërkojmë ndihmë nga Dhomat e Specializuara, meqë shteti i Kosovës është i kapur dhe luftën kundër familjeve të viktimave të SHIK-ut e stimulon ne forma latente”, shprehet Imeri, duke shprehur edhe një mesazh për presidentin Thaçi.

“Këtë luftë speciale nuk do ta fitosh z. Thaçi, edhe pse i ke vënë në shërbim, shpërdorim mekanizmat zyrtarë për qëllime personale, për ta nënshtruar familjen tonë. Tani je një njeri që ke hap hesape edhe më të mëdha, që nga 2016-a e këtej. Provat e 22 nëntorit 2016 nuk do të keqpërdoren do të trajtohen me kujdes te veçantë”, ka përfunduar ai.

Portali Koha.net ka dërguar pyetje edhe në adresë të Presidencës edhe në drejtim të zyrës së ish-kreut të SHIK-ut tash kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, dhe është në pritje të komenteve të tyre.