Arbëri

Zyrtarë të LDK-së takuan ambasadorin britanik, në fokus zhvillimet paszgjedhore

Prishtinë, 31 tetor – Nënkryetarja e LDK-së, Dr. Vjosa Osmani, dhe anëtarët e Kryesisë, Besian Mustafa dhe Lumir Abdixhiku janë takuar sot me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, i cili shoqërohej nga Sam Paice, zyrtar i lartë politik, njoftoi zyra për informim e LDK-së. .

Dr. Osmani e njoftoi z. Abbott për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës, dhe prioritetet e qeverisë së ardhshme, për rendin dhe ligjin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, arsimin, shëndetësinë dhe zhvillimin ekonomik.

Njëkohësisht, thekson njoftimi, Dr. Osmani falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për programet përkrahëse në Kosovë dhe kërkoi vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në të ardhmen.

Ambasadori z. Abbott shprehu interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e proceseve të Kosovës.