Arbëri

EPIK për “Mini Schengen”: Të evitohet ndarja e vendeve të Ballkanit

Descriptive Text

Instituti EPIK përmes një komunikate për media thotë se duke vlerësuar iniciativën e tri vendeve të rajonit për iniciativën “Mini-Schengen”, bëjnë thirrje që lansimi i ideve rajonale të bëhet çdo herë në frymë të gjithëpërfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit, duke evituar kështu ndarjen e vendeve të Ballkanit në mes vendeve që lansojnë iniciativa të bashkëpunimit rajonal dhe atyre që u bashkohen atyre.

EPIK përmes kësaj komunikate thotë se shprehin shqetësimin për mungesën e vullnetit të sinqertë politik për të adresuar sfidat e identifikuara nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është lansuar që pesë vite.

“Në këtë drejtim, shfaqim skepticizmin tonë për nisjen e një procesi të ri, jashtë procesit të Berlinit, por me synimet e njëjta. Në këtë drejtim, nuk kemi arritur të kuptojmë se si një iniciativë e re politike, por me pjesëmarrje më të kufizuar politike se procesi i Berlinit, do të arrij rezultate më të mira”, thuhet ndër të tjera në kumtesën për media.

Njoftimi i plotë:

Instituti EPIK ka përcjellë zhvillimet e fundit përkitazi me iniciativën e ashtuquajtur ‘Mini-Schengen’.

Duke marrë për bazë deklaratën e përbashkët të tre krerëve të shteteve që u mblodhën më 9 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë – Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev – mund të konstatojmë se iniciativa është në përputhje me obligimet dhe ambiciet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Deklarata merr për bazë obligimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së:

-Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit të gjashtë vendeve respektive;

-Planin Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, të lansuar në Samitin e Triestes, si pjesë e Procesit të Berlinit;

-Marrëveshjen CEFTA;

-Komunikatën e Komisionit Evropian “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për një angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”.

-Deklarata me të drejtë njeh këto sfidat e Ballkanit Perëndimor:

-Bruto-Produkti Vendor (BPV) i BE-së, me çmimet e tregut, është 100 herë më i madh se i gjashtë vendeve të Ballkanit;

-Niveli mesatar i papunësisë në BE është pothuajse 3 herë më i ulët se në gjashtë vendet e Ballkanit;

-Kamionët humbasin afërsisht 26 milionë orë në vit në pikëkalimet kufitare brenda Ballkanit. Vonesat në kufi janë 5 herë më të gjata se në BE (Banka Botërore).

Në këtë drejtim, deklarata synon të arrijë:

-Krijimin e tregut të përbashkët prej 20 milionë qytetarëve;

-Eliminimin e kontrolleve kufitare dhe pengesave të tjera të lëvizjes së lirë jo më vonë se në vitin 2021;

-Lëvizjen e lirë të qytetarëve të Ballkanit në rajon me kartë identiteti;

-Të drejtën e punësimit të qytetarëve kudo në rajon;

-Njohjen e ndërsjellë të diplomave në gjithë rajonin;

-Ngritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe ndihma në rastet e katastrofave natyrore.

Gjithashtu duhet nënvizuar faktin që deklarata trajton Kosovën në nivel të barabartë, sikur të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Në fund, ne bëjmë një thirrje dhe e shfaqim një skepticizëm:

Duke vlerësuar iniciativën e ndërmarrë nga tre liderë të rajonit, bëjmë thirrje që lansimi i ideve rajonale të bëhet çdo herë në frymë të gjithëpërfshirjes së të gjitha vendeve të rajonit, duke evituar kështu ndarjen e vendeve të Ballkanit në mes vendeve që lansojnë iniciativa të bashkëpunimit rajonal dhe atyre që u bashkohen atyre – gjithnjë duke nënvizuar vullnetin e plotë të deklaruar të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim sa më të afërt me qëllim të forcimit të paqes, barazisë, shtetit së së drejtës dhe prosperitetit për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Shprehim shqetësimin për mungesën e vullnetit të sinqertë politik për të adresuar sfidat e identifikuara nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili është lansuar tanimë qe pesë vite. Në këtë drejtim, shfaqim skepticizmin tonë për nisjen e një procesi të ri, jashtë procesit të Berlinit, por me synimet e njëjta. Në këtë drejtim, nuk kemi arritur të kuptojmë se si një iniciativë e re politike, por me pjesëmarrje më të kufizuar politike se procesi i Berlinit, do të arrij rezultate më të mira.

Lexo edhe: “Injorimi i Kosovës në Mini-Shengen është bërë qëllimshëm dhe me presionin e Serbisë”

Image