Qendrat mësimore për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në Fushë Kosovë rrezikohet të mbyllen në fillim të vitit 2020.
Kjo do të ndodhë si shkak i mjeteve financiare të pamjaftueshme për vazhdimin e arsimimit të fëmijëve romë, egjiptianë e ashkalinj, transmeton kp.
Kështu u tha gjatë vizitës së zëvendësshefit të Zyrës së BE/PSBE, Riccardo Serri në këto qendra në Fushë Kosovë.
Ai u zotua se si zyre e BE-së në Kosovë kanë prioritet arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.
"Më e mira është që patëm mundësinë të bisedojmë me fëmijët të gjithë vijnë nga komunitet. Kishim rast qe të sqarojmë se BE është këtu që të investojë në të ardhmen e Kosovës dhe të investohet në të ardhmen e Kosovës. Dhe që edhe për ta ofrohet një mundësi e barabartë në arsimimin e tyre për të ardhmen e tyre", tha ai.
Muhamet Arifi, drejtor i Qendrave Mësimore, tha se organizata Ballkan Sunflowers ka gjashtë qendra, në katër komuna të Kosovës. Si shkak i mungesës së mjeteve financiare, ai tha se edhe dy muaj këto qendra janë në rrezik që të mbyllen.
"Qendra është funksionale që 12 vjet dhe falë investimeve të ndryshme nga donatorët kemi dalë dhe kemi mbuluar të gjitha shpenzimet. Edhe pse kemi dokumente të mira, kemi strategjinë për edukim, për përfshirjen e romëve, egjiptianëve, ashkalinjve, është udhëzimi administrativ për regjistrimin dhe funksionimin e dokumenteve të tjerë, fatkeqësisht ndoshta më 1 janar do të mbyllet, për shkak që nuk kemi mjete financiare për të vazhduar tutje, arsyeja se donatorët (BE), apo tjerë thonë se kjo është përgjegjësi institucionale dhe institucionet e Kosovës do të duhej të mbulonin kostot e shpenzimeve, sepse këto programe kontribuojnë në përmirësimin e fëmijëve në përgjithësi", u shpreh ai.
Sipas tij, nëse nuk ndërmerret diçka nga institucionet atëherë suksesit 12-vjeçar do t'i vijë fundi.
"Qeveria e Kosovës i ka ndarë 500 mijë euro në shkurt apo mars të vitit 2019, në muajin e shtatë apo tetë kemi kuptuar që këto mjete financiare kanë ndarë në mënyrë të gabueshme, në investime kapitale, dhe kemi insistuar që të kemi një takim në zyrën e qeverisjes së mirë, të ministrit të Financave dhe të Arsimit. Është premtuar që MASHT në atë kohë do të intervenojë duke kërkuar nga ministri i Financave t’i alokojë këto mjete, ndodhi çfarë ndodhi u prish Qeveria, ministra nuk kemi dhe jam i sigurt që këto 500 mijë euro do të humbin", ka shtuar ai.
Islam Shabani, drejtor komunal i Arsimit, tha se si komunë do të bëjnë përpjekje që këto qendra të vazhdojnë funksionimin e tyre.
"Unë mendoj se duhet të alarmohen të gjitha subjektet qeverisëse për këtë çështje duke përfshirë Qeverinë, MASHT-in edhe komunën e Fushë Kosovës, sepse nuk është mirë që të mbyllet kjo qendër në asnjë mënyrë. Ka funksionuar që 12 vjet, ka funksionuar shumë mirë dhe e ka ndihmuar procesin e mësimit. Ne si komunë do të ishim shumë të pakënaqur nëse vjen deri te mbyllja e kësaj qendre", theksoi Shabani.
Gjatë vizitës së Serrit në këto qendra, fëmijët po ashtu kanë pasur mundësi që bisedojnë me të. Atyre mes tjerash u ka interesuar të dinë se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ai u tha fëmijëve se nuk di se kur do të ndodhë një gjë e tillë, por që shpreson se shumë shpejt qytetarët të kenë mundësi të lëvizin pa viza.