Arbëri

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, në planet e Ramës nuk është dorëheqja

Descriptive Text

Opozita në Shqipëri ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme pas “JO”-së nga Brukseli, në të njëjtën formë si veproi Maqedonia e Veriut.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një dalje për mediet nga selia e Partisë që ai drejton, deklaroi se Qeveria shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë për dështimin e negociatave dhe t'ia kthejë mandatin popullit shqiptar.

Basha i cilësoi propagandë qëndrimet e kreut të mazhorancës pas refuzimit të hapjes së negociatave, ndërsa theksoi se shkaku i vetëm i “JO”-së nga KE-ja është mosplotësimi i standardeve të kërkuara, shkruan sot Koha Ditore.

“Është koha që Qeveria ta ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, të marrë përgjegjësinë për dështimet e saj dhe t'ia kthejë mandatin popullit shqiptar. Me një Qeveri të re, legjitime që drejton procesin e negociatave, përparimi është i mundur. Ne jemi një popull i talentuar, i mirarsimuar dhe punëtor. Ne na duhet një qeveri e re, një qeveri që çon vendin përpara në procesin e integrimit evropian, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kushtet e BE-së janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike me mundësi për qytetarët e saj. Me politikat e duhura ne mund dhe do të sigurojmë mirëqenie dhe përparim drejt së ardhmes evropiane”, deklaroi shefi i opozitës, Lulzim Basha.

Sipas Bashës, BE-ja më 18 tetor refuzoi Qeverinë Rama dhe jo Shqipërinë.

Por në planet e kryeministrit Edi Rama nuk janë dorëheqja dhe zgjedhjet e reja, siç kërkon opozita, ku kryeministri nuk ndien asnjë përgjegjësi për dështimin me negociatat. Rama ka përsëritur shprehjen e disa ditëve më parë, para mbledhjes së 18 tetorit, se “dielli ka dalë përsëri”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)