Avokati tregon se për çka u intervistua Driton Lajçi nga Specialja Foto: Driton Lajçi / Twitter

Avokati tregon se për çka u intervistua Driton Lajçi nga Specialja

21 October 2019 15:12

Avokati Artan Qerkini, ka njoftuar se klienti i tij, Driton Lajçi, është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit Special (ZPS) me datën 17 tetor 2019 dhe atë vetëm për 2 orë, e jo siç është raportuar në media.

Qerkini thotë po ashtu se ZPS-ja është interesuar për funksionimin e Zyrës për mbrojtje juridike për personat potencialisht të akuzuar.

Ai ka thënë se klienti i tij, Lajçi, ka dhënë deklaratë vetëm për funksionimin e kësaj zyre, “duke sqaruar funksionin e tij dhe të Zyrës”.

“ZPS-së i është bërë me dije se themelimi i Zyrës gjen mbështetje në Ligjin Nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të personave Potencialisht të Akuzuar, i cili është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë avokati Artan Qerkini përmes një njoftimi.

Driton Lajçi është shef i Zyrës për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special, njëkohësisht person për t’u ofruar ndihmë familjarëve të tyre gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

Driton Lajçi ka qenë njëri ndër drejtuesit e Lëvizjes Studentore të vitit 1997, deputet i Kuvendit të Kosovës, drejtues i kabinetit të ish-ministrit të Drejtësisë dhe drejtues i kabinetit të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme