Arbëri

Rruga e trëndafilave nga Kenia në Kosovë

Foto: Koha

Sapo hap derën, të deh aroma e luleve. Në atë hapësirë të madhe dhe të mbyllur, ku fabrikohet trëndafili lloj-lloj ngjyrash, punojnë vetëm gratë. Janë afro 100. Mysafirët i përshëndesin me mirësi, pa e ndalur punën. Iu shkon buza në gaz, kur dëgjojnë se aroma e bukur e trëndafilave mahnit ata që nuk janë mësuar të jetojnë përditë me këto lule.

Është mahnitës edhe kontrasti që reflekton midis trëndafilave të bardhë, si bora e pashkelur e maleve, dhe duarve me ngjyrë që i rregullojnë ata nëpër tufa.

Peizazh pastërtie. Gra të veshura me uniforma e kapela të vëna mbi flokët e ngjitura, skajet e të cilave dalin vetëm pak mbi ballë ose skaj veshëve.

Ajo aromë të ndjek pas kudo, brenda, por edhe jashtë hapësirës 40- hektarëshe, ku gjendet ferma e luleve më të bukura-trëndafilave afrikanë që udhëtojnë përtej kontinentesh. Vijnë edhe në Kosovë. Edhe në Shqipëri, shkruan Koha Ditore.

Ata janë mbjellë, janë ujitur, janë rritur dhe fabrikohen në kontinentin e zi, Afrikën e largët, për të cilën pakkush e di se është vendi ku prodhohen lulet më të kërkuara në botë, trëndafilat.

Janë dy shtete të këtij kontinenti, Ekuadori dhe Kenia, të cilat njihen si prodhueset dhe eksportueset më të mëdha të luleve në botë. Lulet e tyre dërgohen edhe në kontinentet më të largëta, siç është Australia dhe Zelanda e Re. Evropa, si kontinenti më i vjetër, është edhe tregu më i vjetër i shitjes së luleve afrikane.

Në Kosovë e Shqipëri këto lule udhëtojnë falë punës shumëvjeçare që ka bërë Shpëtim Redo nga Dibra e Shqipërisë. Ai rrëfen për “Kohën Ditore” rrugën e jetës së tij, duke thënë se ka migruar prej 30 vjetësh në Austri, ku ka jetuar dhe punuar. Por, që prej tetë vjetësh jeton në Nairobi, bashkë me familjen, ku merret me tregtinë e luleve dhe turizmin në Safari.

Ai ndërmjetëson tregtinë me lule nga Nairobi për në tri vende të Evropës: Angli, Shqipëri dhe Kosovë. Redo ishte marrë me fushën e turizmit prej 25 vjetësh në Austri.

“Kur erdha në Nairobi, sikur çdo njeri që përpiqet të bëjë atë punë që e njeh më së miri, ashtu bëra edhe unë. Fillova të merresha me turizmin”, thotë ai.

Duke treguar se si erdhi deri tek ideja për të zgjedhur Afrikën si vend pune, ai thotë se gjatë viteve të krizës ekonomike në botë, diku në vitin 2008, bizneset po tkurreshin. Njësoj po ndodhte edhe me biznesin e tij në Vjenë. Prandaj, ai dhe bashkëshortja kishin filluar të shikonin mundësi të reja për të zhvilluar veprimtaritë e tyre profesionale.

Ishte bashkëshortja e tij, Klodiana, së cilës i ishte ofruar mundësia që të punonte në një kompani të madhe në Kenia. Dhe pas saj, punë gjeti edhe ai vetë, në turizmin në Safari. Pastaj kishte nuhatur tregtinë me lulet.

Ai tani thotë se Afrika është një kontinent, në të cilin sapo ka filluar të hapet për të bërë biznes. Sipas tij, ky kontinent do të jetë tregu më i madh i botës për dekada të tëra në të ardhmen.

Duke hulumtuar mundësitë që ofronte Kenia, ai thotë të ketë vërejtur kërkesat e mëdha të Evropës për lulet. Kishte parë se Kosova dhe Shqipëria as nuk e kishin idenë për këtë mundësi. Pastaj, ai kishte gjetur rrugën për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë që shesin lule në këto dy vende, drejt të cilave tani udhëton shpesh. Kështu, ai ndihet se i është kthyer vendit të origjinës, pas kaq vitesh në mërgim. Dhe tregtia me lulet nga Afrika drejt Kosovës dhe Shqipërisë, sikur po përmbush zbrazëtinë që i ka lënë ndër vite largësia me vendlindjen.

“Atëherë kisha vërejtur se Kosova kishte një traditë të dhuratave me lule, kurse ne në Shqipëri ende po i dërgonim banane dikujt që i shkonim në vizitë kur sëmurej. Por, edhe kjo ndryshoi ngadalë, duke u kthyer kah ajo, që lulet të shikoheshin si dhurata më e bukur për dikë që dëshiron ta respektosh”, thotë Redo.

Kështu, ai së pari kishte filluar të tregtonte lule në Kosovë, e pastaj edhe në Shqipëri.

Por, në të gjithë këta vjet, ai ka një habi për sa u përket kërkesave për lule që i dërgohen atij këtu në Nairobi. Përkundër që fermat e luleve prodhojnë të gjitha llojet dhe ngjyrat, ai thotë se nga të dyja vendet, si Kosova ashtu edhe Shqipëria, blejnë vetëm dy lloje: trëndafila të bardhë dhe të kuq.

Redo thekson se nuk ka asnjë lloj barriere për të bërë biznes nga Kenia në Kosovë, apo në Shqipëri. Përkundrazi, sipas tij, afrikanët janë shumë të interesuar për tregje të reja, sidomos në vendet ku ekonomia ende është në zhvillim e sipër.

Sado që Kenia nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, ajo megjithatë figuron në listën e shteteve me të cilat ky vend afrikan realizon eksportet e saj.

Kenia, falë kushteve shumë të përshtatshme klimatike, ku pothuajse gjatë gjithë vitit është pranverë evropiane, është e njohur për prodhimin e kafesë, çajit dhe luleve. Fermat me këto produkte shtrihen në mijëra hektarë tokë të këtij shteti afrikan.

E njëra ndër to është edhe kjo fermë lulesh, e cila gjendet në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.

Kjo fermë lulesh, aktualisht numëron afro 800 të punësuar, pronare e së cilës është një evropiane, një franceze. Meshkujt punojnë kryesisht në fermë, aty ku mbillen, ujiten, rriten e vilen lulet. Ndërsa, gratë kryesisht punojnë në fabrikimin e tyre, përgatitjen finale për eksport, dhe në administratë.

Pa fund rrënjë lulesh janë renditur me precizitet në rendet që shtrihen brenda serrës, mbi të cilat është i vendosur sistemi i ujitjes. Mbi 95 për qind të tyre janë trëndafila. Një rrënjë lule, prodhon frutat e saj deri në dhjete vjet. Por, kenianët rekomandojnë që t’i ndërrojnë rrënjët e tyre çdo pesë vjet, meqë gjatë kësaj kohe llogaritet se një rrënjë prodhon lulet më të bukura, të cilat ruajnë freskinë dhe aromën e tyre shumë gjatë, edhe pasi që këputen nga rrënja.

Pas këputjes, ato shkojnë në njësinë e fabrikimit. E kur hyn aty, të duket sikur ke hyrë brenda një pikture. Në realitet të kthejnë vetëm muret e objektit dhe pajisjet me të cilat punojnë gratë e luleve. Secila e dinte mirë punën e vet. Njëra tubonte lulet duke i ndarë midis ngjyrash, tjetra i bënte tubë ato, një tjetër bënte matjen e gjatësisë dhe ua shkëpuste bishtat, për t’i bërë të gjitha njësoj.

Lulet me bishtat më të shkurtër kushtojnë më lirë. Ato paketohen gjysmë të çelura. Sepse vetëm kështu, do të ruajnë freskinë gjatë rrugëtimit deri në duart e blerësve. Trëndafili do të çelë krejtësisht vetëm pasi të blihet. E ky proces nuk është digjital, por i natyrshëm, meqë prodhuesit kanë arritur të matin me precizitet kohën që i duhet trëndafilit për të çelë dhe për të lëshuar aromën dehëse, së cilës nuk mund t’i rezistojë njeri.

E një kënd i objektit të fabrikës u është lënë vazove. Mbase ky ishte një kënd tjetër mahnitës. Ato janë vazo të punuara nga një lloj metali i lehtë, jo nga plastika, ku vihen lulet për t’ua testuar jetëgjatësinë.

Bukuritë e tyre shumëngjyrëshe, të marrin mendjen. Të gjitha kanë çelur, janë të bukura, dhe përplot aromë. Ashtu qëndrojnë deri në dhjetë ditë, secila prej tyre. Kjo është leja që gratë e firmës marrin pastaj për të paketuar secilin lloj të tyre dhe për t’i nisur në rrugëtime kontinentesh të tjera.