Arbëri

Hulumtim – Gati 30% e fëmijëve të grave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës, kanë nivele anormale kortizoli

Foto: Koha / ilustrim

Sipas rezultateve preliminare të studimit me titull “Hulumtimi epigjenetik mbi traumën ndërbrezore në Kosovë”, gati 30 për qind e fëmijëve të grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, kanë nivele anormale, shumë të ulëta ose të larta, të kortizolit, i cili është hormon që nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore.

Për të ardhur deri tek të dhënat e këtij studimi janë intervistuar 130 gra që kishin përjetuar dhunë seksuale ose tortura gjatë luftës në Kosovë si dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijë më të vegjël të lindur nga secila grua, raporton Koha Ditore.

Fëmijët që iu janë analizuar mostrat e gjakut nuk kanë qenë fëmijë të lindur si produkt i dhunës por që kanë lindur më vonë nga gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

Në studimin që është prezantuar në konferencën me titull “Trauma ndërbrezore”, të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, theksohet rëndësia e ekzaminimit të hershëm të fëmijëve të lindur nga gratë qe përjetojnë dhunë ose torturë seksuale gjatë luftës dhe veçanërisht ata të lindur nga nënat me simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik.

Studimi që është bërë nga QKRMT-ja dhe Instituti Danez kundër Torturës, është studimi i parë i grave që përjetojnë trauma seksuale dhe që rezulton më çrregullim të stresit post-traumatik, duke sugjeruar transmetin ndërbrezor të traumës në formën e ndryshimeve epigjenetike të fëmijëve.

Ndërkohë Lartëmadhëria e saj Mbretërore, Kontesha e Wessex Sophie, në këtë konferencë ka thënë se gratë e dhunuara, përkundër guximit që kanë, kanë nevojë për mbështetje, pranim e drejtësi.

“Konfliktet lënë shumë plagë, por ajo më e madhja është stigma që bartin te mbijetuarit, jo vetëm këtu në Kosovë por në gjithë botën”, ka deklaruar ajo.