Veseli: SHBA-ja s’është pro shkëmbimit të territoreve, por përkrah çdo marrëveshje që arrijmë me Serbinë

16 October 2019 20:14
21:16

Sipas kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, SHBA-ja nuk është pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për dialogun Kosovë – Serbi.

Pas takimit me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për negociatat Kosovë-Serbi Richard Grenell, Veseli ka thënë se ai ka përsëritur qëndrimin amerikan se janë pro çdo marrëveshjeje që arrijnë Kosova e Serbia.

“Çdo gjë që vjen nga Amerika është pozitive. Ambasadori Grenell është ndër njerëzit më të besuar të presidentit Trump. Ka marrë akreditimin prej tij si i deleguar. SHBA-ja, investitori më i veçantë në paqe, stabilitet, e sheh Kosovën si pjesë të projektit të tyre në stabilitetin e Ballkanit. S’varet kush ishte pozitë e opozitë. Kosova duhet të kalojë atë proces. E mbylli Maqedonia me Greqinë, Shqipëria po e mbyll me Greqinë, Kosova me Maqedoninë, jemi në fazë ku synohet të kalohet ndikimi rus. E influenca më e madhe e Rusisë mund të vijë nga Serbia. Dhashtë Zoti ta vlerësojnë ndryshe pozita e re sepse na kanë lodhur me atë manipulim. Grenell ka përmendur afate që i kanë përmendur çdo herë zyrtarët amerikanë. Kam pasur disa takime. Ka qëndrim amerikan që përkrahet Kosova. Kosova duhet të ruajë shtetësinë, sovranitetin. Ne kemi goditur vetveten me manipulimet se SHBA-ja gjoja është pro shkëmbimeve. SHBA-ja nga fillimi e deri në fund s’përkrah asnjë opsion në të cilën palët merren vesh. Shkëmbimi i territorit s’mund të ndodhë kurrë. Duhet të ruajmë Kosovën si tërësi territoriale, por edhe institucionale”, ka thënë ai.

Sipas Veselit, Grenell ka përcjellë porosinë që sa më shpejtë që vazhdon dialogu e arrihet marrëveshje është më mirë për Kosovën.

21:05

Veseli thotë se procesi i emërimit të noterëve të rinj duhet të ngrihet

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, ka thënë se procesi i emërimit të noterëve të rinj duhet të ngrihet deri të vijë në pushtet qeveria e re.

Ai ka dalë kundër ministrit të partisë së tij, Abelard Tahiri, që ditë më parë tha se do të vazhdojë me procesin edhe pse qeveria është në largim, dhe se pati kërkesë edhe nga ndërkombëtarët që të mos vazhdohet me procesin pas raportimeve se shumë persona që kanë kaluar testimet janë familjarë të zyrtarëve të PDK-së e anëtarëve të komisionit.

“Nga dita e dorëheqjes, qeveria duhet të luajë rolin kushtetues të mos marrë vendime. Pasi ishte dorëheqje e parevokueshme ishte situatë e cila s’ka interpretim të qartë. Më mirë të mos merren vendime. Duhet të ngrihet deri të vijë qeverisja e re. Institucioni është institucion. Le te shohë qeveria e re, s’shoh pse të bllokohet. Nga momenti i dorëheqjes duhet të lejohen vetëm vendime për të mos penguar qytetarët, pagesë për infrastrukturë, për paga, për ndihma”, ka thënë ai.

20:58

Veseli: Uroj që t’mos izolohemi e të varfërohemi edhe më shumë me qeverisjen e re

Kadri Veseli, ish-kryeparlamentar i Kuvendit të Kosovës, në Rubikon të KTV-së ka thënë se nga qeveria e re do të kërkojë veprime konkrete në integrim të shtetit.

Ai tha se kërkon që të ketë zhvillim ekonomik e luftës kundër korrupsionit, por në të njëjtën kohë edhe raporte edhe më të përafërta me SHBA-në e BE-në “sepse ecja përpara është e ndërlidhur me këto raporte”.

“Unë nuk pres që këta (qeveria e re) të dështojnë, por dua që ky vend të ec përpara, kushdo qoftë në pushtet. Qytetarët s’e meritojnë dështimin”, u shpreh Veseli.

“Uroj që të kenë sukses, por mund të them vetëm këtë: uroj që të mos kemi izolim e varfërim më të madh të qytetarëve. Nëse sillen (LVV e LDK) sikurse deri më tani, vetëm me fjalë të arrijnë të gjitha, por të mos implelentojnë veprime për qytetarin...”.

“Ideja e fitores së zgjedhjeve, dhashtë zoti ua ndërron pak mentalitetin LVV-së. Na kanë quajtur tradhtarë për takimet me Vuçiqin. Le të mbajnë fjalën e le t’i çojnë në burg ata që janë të jashtëligjshëm. Kanë thënë se është kapur shteti, duhet ta ç’kapin. Kanë thënë se ka korrupsion, le ta luftojnë. Unë nuk jam hakmarrës në politikë”, deklaroi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai qeshet kur pyetet nëse ia ka frikën Lëvizjes Vetëvendosje që kanë kërcënuar se do t’i çojnë në burg të korruptuarit.

Por thotë se do t’i japin rast të tregohen qeverisë së re për 100 ditë.

“Do t’ia japim 100 ditë. Nuk është e ndershme të paragjykosh dikë më herët. Do të shprehim rezervat e vërejtjet tona, por do të presim për hapat që do t’i ndërmarrin”, tha Veseli.

Ai tha se do të bashkëpunoj me të gjitha partitë opozitare në Kuvend.

20:48

Veseli fajëson Mustafën, Haradinajn e opozitën e deritashme për dëmtim raportesh me ndërkombëtarët

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar ish-kryeminstrat Isa Mustafa e Ramush Haradinaj dhe opozitën e deritashme për dëmtim të raporteve të Kosovës me miqtë ndërkombëtarë.

Në Rubikon të KTV-së, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ku fituese doli opozita e deritashme VV-LDK, kryetari i PDK-së ka thënë se qeveria e re duhet të ketë primare luftimin e korrupsionit, të merret me papunësinë e të kujdeset për të mos vazhduar “kursin e viteve të fundit në raportin me miqtë”.

“Nga 2014-a kemi pasur rënie të raporteve. Jemi në nivelit më të ulët, për shkak të agresiviteteve brenda nesh. Duke harruar që kemi përballë Serbinë. Vuçiqi është shumë perfid. Ka arritur të depërtojë edhe në qarqet e partnerëve tanë. Edhe ne e mbajmë përgjegjësinë. Mbaj përgjegjësi shumë të madhe për dy vjetët e fundit, sepse kurrë s’do ta besoja se në qeverisjen time do të vinte në një momentum i tillë ku Kosova vihet në situatë të tillë në raport me SHBA-në e BE-në. Qeverisja që është përpara duhet të merret drejt dhe drejtpërdrejtë me sfidat që ka Kosova. Janë sfida reale. Njerëzit duan të jetojnë më mirë, duan punë. Të luftohet korrupsioni, të hapet perspektivë për investitorët dhe të ketë hapa konkretë për raportet me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht me SHBA-në. Çka ka ndodhur me to është kjo: Ne kemi zbehur raportet me SHBA-në. Nga viti 2014, e dini sa letra kanë dërguar presidentët Obama e Trump. Sa ishin veshëshurdhër. Çfarë reagime ka pasur nga ish-kryeministrat, e qoftë edhe nga opozita. Dhashtë Zoti të ndërrojë. Të reflektojnë”, ka thënë ai, teksa ka akuzuar të gjithë këta edhe për mosliberalizim të vizave.

Sipas tij, sa ishte PDK-ja në krye të qeverisjeve, Kosova pa pasur partneritet të mirë dhe sukses.

20:37

Veseli s’do të japë dorëheqje shkaku i humbjes së zgjedhjeve

“Nuk do të vijë asnjë moment kur ne do të godasim shtetin tonë, apo të dëmtojmë të ardhmen e të rinjve tanë. Nuk është sukses i një opozite kur e fundos shtetin e vet, vetëm pse nuk është në pushtet. Ne kemi përgjegjësi si në pozitë si në opozitë”.

Kështu është shprehur ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Rubikon të KTV-së, kur ka folur për opozitarizmin në këtë mandat.

Ai tutje ka folur edhe për faktin se PDK-ja ka humbur zgjedhjet që nga koha kur VEseli ka marrë drejtimin e partisë.

Por ai nuk e ka pranuar si humbje rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017, kur ishin bashkë në koalicionin PAN, ndërsa ka thënë se vetëm këto zgjedhje i ka humbur.

“Me mua si kryetar, PDK-ja i ka humbur zgjedhjet më 2019. PDK-ja është parti e vendimeve të mëdha. Që nga 1999, të gjitha vendimet lidhen me PDK-në, edhe kur ka qenë në opozitë. Edhe në kohën e pushtetit, ka pasur shpërthimin më të madh ekonomik. Pastaj edhe në arenën ndërkombëtare. Këto i ka bërë PDK-ja, e normalisht se merita ka edhe Hashim Thaçi. Ai është një lider që i ka dhënë shumë Kosovës dhe PDK-së. Ai është president, unë kryetar i PDK-së. Jam duke ndërtuar një standard e shembull, por edhe një profilizim që do t’i shërbejë Kosovës. Kur punon gjatë e shumë, edhe mund të gabosh. PDK-ja dallon nga partitë tjera se është e hapur dhe s’ka ‘rraxha’ brenda. S’ka parti që ka pasur garë më demokratike të brendshme sesa PDK-ja”, potencoi Veseli.

Kreu i PDK-së s’ka pranuar të deklarohet nëse do të japë dorëheqje pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Disa muaj para zgjedhjeve e kam marrë mandatin e kryetarit të partisë. Zgjedhjet e parakohshme na kanë zënë të papërgatitur. Unë do t’i vazhdoj reformat edhe më thellë. Këto reforma do ta fuqizojnë PDK-në dhe do ta kthejë shumë shpejt besimin e qytetarëve”, u shpreh Veseli kur u pyet nëse do të japë dorëheqje.

Në lidhje me akuzat e Blerim Latifit, njeri i afërt i Veseli dhe kandidat për deputet në këto zgjedhjet e fundit, për vjedhje votash brenda partisë, kreu i PDK-së tha se të gjitha partitë ankohen.

“E meta e sistemit tonë zgjedhor, kur flasim për ankesa, është se ka zbraztësira shumë të mëdha. Një ditë para zgjedhjeve kam kërkuar nga përfaqësuesi ynë në KQZ që të kemi numërimin e votave për kandidat. Por s’na kanë përkrahur as LVV e as LDK-ja. Ju qan zemra shumicës së kandidatëve që vota e tyre preket. Nuk është vetëm Blerimi, ka edhe në partitë tjera ankesa. Janë Burim Ramadani e Besa Luzha. Është gjynah të flasësh për komisionerë. Duhet të personalizosh, të gjesh kush është personi dhe të gjykohet. Duhet të perfeksionohet më tepër transparenca në votime. Ka raste kur familjarët s’e votojnë një kandidat. Kjo duhet të përmirësohet”, u shpreh ai.

Kurse për deklaratën e Blerim Latifit, i cili ka thënë se Veseli ka mbetur vet, ky i fundit tha se “kurrë në jetë s’kam qenë vet”.

Tutje, Veseli tha se PDK-ja ka duruar kritika nga njerëz që kanë përfituar nga partia e më vonë e kanë sharë. Megjithatë, ai thotë se partitë që tani do të marrin pushtetin nuk durojnë.

“Ne kemi duruar shumë kritika përgjatë viteve, kemi duruar edhe sharje. Ka njerëz që kanë marrë privilegje nga PDK-ja, ndërsa e kanë sharë publikisht. Këta që po vijnë s’do të durojnë kritikën si ne”, tha Veseli.

20:21

Veseli: Me asnjë çmim PDK-ja nuk hyn në pushtet

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, ka thënë se në asnjë variacion e me asnjë çmim, PDK-ja s’do të jetë në pushtet pas zgjedhjeve të 6 tetorit, ku sipas rezultateve të deritashme doli parti e tretë.

Ai ka thënë se PDK-ja është e vendosur të jetë në opozitë dhe të luajë rolin e saj opozitar.

“Në asnjë variacion, PDK-ja s’hyn në pushtet. Me asnjë çmim”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se me deklarimet se prioritet është lufta kundër korrupsionit, PDK-ja s’ka menduar vetëm që të fitojë zgjedhjet.

“S’kemi bërë deklaratë vetëm për shkak të 6 tetorit, por besoj në kauzë. Ideja ime ishte dhe do t’i shkoj deri në fund. Ne përgjegjësitë do t’i kemi edhe më aktive, nga një rol i ri opozitar. Duhet secili të luajë rolin e vet. Pse je opozitë s’do të thotë të shkatërrosh vendin. Platforma ime s’kishte të bënte për 6 tetorin, por për Kosovën pas 6 tetorit”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se pret që partitë që kanë fituar zgjedhjet, VV-ja si e para e LDK-ja si e dyta, të kenë probleme në menaxhim të shtetit, duke thënë se “sa ishte PDK-ja në pushtet, ka pasur suksese të jashtëzakonshme që i ka arritur Kosova”.

20:14

Veseli: Sikur vetëm 1 votë të ishim prapa partisë së parë, do të shkonim në opozitë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë pas humbjes së pushtetit pas 12 vjetësh qëndrimi në pozitë.

Në Rubikon të KTV-së, Veseli tha se ishte vullneti i qytetarëve ai që e bëri partinë e tij të deklarohet për opozitë.

Veseli ka thënë se proceset zgjedhore në Kosovë zakonisht janë shembull për tjerët, përpos disa problemeve të vogla por që thotë s’mund të kenë pasur shumë ndikim në rezultate.

Duke folur për votat e marra në zgjedhjet e 6 tetorit dhe duke i krahasuar ato me rezultatet e vitit 2017 kur PDK ishte në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Nismën, dhe mbi 20 parti tjera të vogla, Veseli tha se nuk mund të bëhen paralele të tilla.

“Në fund do të kemi nga 177-180 mijë vota. Si koalicion PAN, kemi shumë më shumë vota se në zgjedhjet e kaluara. PDK-së nuk i ka bërë shumë hajër dhënia e postit të kryeministrit në dy mandatet e kaluara”, ka thënë Veseli.

Ai ka kujtuar kur partitë tjera nuk kanë dashur të bashkqeverisin me PDK-në, si kohën e VLAN-it, por tha se asokohe u bënë bashkë humbësit, por sërish PDK-ja i hapi rrugë zgjidhjes së ngërçit që pati zgjatur 6 muaj.

“Pastaj më 2017 patëm një situatë pothuajse të njëjtë, por ne deshëm të evitonim krizat. Humbësit më 2014 krijuan një situatë që nuk i bëri hajër Kosovës, e assesi as PDK-së. Më 2017, nga favoriti i dhashë postin e kryeministrit një tjetri. Më pas u krijua përshtypja në opinion se PDK-ja dëshiron vetëm të jetë në pushtet dhe nuk e do kryeministrinë”, tha kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai potencoi se sikur PDK-ja të ishte vetëm 1 votë prapa partisë së parë në zgjedhjet e fundit, “ne do të shkonim në opozitë”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Burimi05/11/2019 17:26

Mos u frikeso hiq se ma te izolum e ma te varfer ska ku shkon, fal politikes juve

Shto koment

Të ngjashme