Arbëri

Kurti pret në zyrë Abbottin, VV-ja thotë se Britania e vazhdon përkrahjen për Kosovën

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media, bën me dije se kryetari i saj, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Fitore Pacolli, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe Kryesuesin e Departamentit Politik në Ambasadën Britanike, Samuel Paice.

Sipas njoftimit të VV-së, “Nicholas Abbott e uroi kryetarin Kurti për suksesin zgjedhor”. Gjithnjë sipas njoftimit të VV-së, Abbott ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Kosovës.

“Përveç luftimit të korrupsionit, nevojitet edhe përqendrimi i mëtejshëm edhe në krijimin e kushteve të reja për investime dhe mundësi për të rinjtë në vend”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet gjithashtu se Kurti e falënderoi ambasadorin Abbott për përkrahjen e deritanishme të Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu bindjen se me qeverinë e re bashkëpunimi mes dy vendeve tona vetëm sa do të thellohet.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin se prioritet i qeverisë së re do të jetë zvogëlimi i pushtetit për forcim të shtetit, drejtësia institucionale e ligjore dhe zhvillimi ekonomik e punësimi. Sa i përket procesit zgjedhor, ai tha se nevojitet adresimi i parregullsive dhe shkeljeve që e përcollën atë në komunat me shumicë serbe si dhe fillimi i dialogut nga poshtë me serbët lokal që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media të VV-së.