Për zarfet e dyshimta presidenti i mbledh organet e sigurisë,11 persona po marrin trajtim

Valbona Bytyqi 14 October 2019 19:13

Në 11 ka arritur numri i personave të shtruar në Klinikën Infektive, pas kontaktit që kanë pasur të dielën me zarfet e ardhura nga Serbia.

Megjithëse gjendja e tyre është stabile, ata do vazhdojnë të marrin trajtim nga mjekët e Infektivës, derisa janë në pritje të rezultateve të analizave, raporton KTV.

Lidhur me rastin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën, ka takuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhuni.

Sipas komunikatës për media lëshuar nga Zyra e Presidentit, Thaçi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndërmarrjen e masave për zbardhjen e “dyshimeve për helmim të personelit të KQZ-së.

“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve. Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë. Presidenti Thaçi ftoi për përmbajtje deri në përfundim të hetimeve”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Megjithatë, për shkak të hetimeve, Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë ndonjë informatë lidhur me rastin.

Në anën tjetër, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë ditës kanë arritur, votat e tjera të dërguara me postë, e të cilat kanë qenë në vendin e njëjtë me ato të ardhura nga Serbia.

Sipas Burim Ahmetajt, pas përfundimit të rinumërimit të 314 vendvotimeve, do të vazhdohet edhe me procedurat e tjera për numërimin e votave me kusht dhe atyre të ardhura nga jashtë Kosovës.

Procesi i verifikimit të votave nga Serbia, është ndërprerë në gjysmë të dielën, pas ankesave të disa prej zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, që kanë pasur kontakt me zarfet e ardhura nga Serbia, për kruarje të duarve, fytyrës dhe vështirësi në frymëmarrje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme