SHSKUK: Gjendja e të helmuarve është stabile Foto: Driton Paçarada / Koha

Gjithçka rreth helmit nga zarfet me vota që erdhën nga Serbia

Doruntina Thaqi dhe Valbona Bytyqi 13 October 2019 12:04
19:12

Pak orë pasi ia filluan punës, zyrtarët kosovarë të KQZ-së u detyruan ta ndërpresin atë.

Kjo, për shkak të kundërmimit nga hapja e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, verifikimi i të cilave kishte filluar qysh në mëngjes, raporton KTV.

Përveç ankesave për kundërmim, zyrtarët u ankuan edhe për kruarje të duarve dhe të fytyrës. Nëntë prej tyre kërkuan ndihmë në Qendrën Klinike Universitare.

Në vendngjarje, për më shumë se tri orë, qëndruan njësitet policore e forenzika, të cilat u morën me ekzaminimin e hapësirës.

Në afërsi të vendit ku janë të vendosura votat nga Serbia por edhe ato nga diaspora, ishin edhe zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, por të cilët nuk dhanë shumë informata.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, tha se do kujdesen që ky rast të mos ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Detaje lidhur me rastin nuk kanë pranuar të japin as nga Policia e Kosovës, e as nga Prokuroria Speciale.

Këta të fundit, prapa kamerave, thanë se janë duke u marrë me rastin, dhe se nesër do të dalin me një komunikatë për media. E, përveç votave nga Serbia, në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, ku është bërë verifikimi i votave, janë edhe ato nga diaspora.

19:10

Gjendja e të helmuarve me vota është jashtë rrezikut për jetë

9 zyrtarë të Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Sipas drejtorit të IKSHP-së, Naser Ramadani, gjendja e tyre është stabile.

Gjatë ditës, 9 nga 26 zyrtarët e KQZ-së pësuan alergji gjatë verifikimit të zarfeve të ardhura nga Serbia. Ramadani, tutje, tha se janë duke u marrë të gjitha masat e nevojshme dhe se së shpejti do kuptojnë si është ardhur deri te kjo gjendje.

E disa familjarë, të cilët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se nuk janë lejuar të hynë brenda, por kanë biseduar me familjarë vetëm përmes telefonit, duke përfunduar se nuk kanë asnjë informacion tjetër.

Zyrtarë policorë nuk kanë lejuar as mediet që të afrohen afër Klinikës Infektive në QKUK.

Rastin është duke e hetuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

15:47

Halimi: Ende s’e kemi të qartë situatën me helmimin

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se institucioni që ai përfaqëson ka qenë në proces të verifikimit të votave që kanë ardhur nga jashtë Kosovës kur është raportuar për një kundërmim që ka ardhur nga disa pliko.

“Jemi në pritje të verifikimit të gjendjes nga ana e Policisë. Ende nuk e kemi situatën e qartë. KQZ do të vendosë se si do të veprohet me këtë material. Jemi këtu që të sigurojmë se nuk do të preket integriteti zgjedhor. Procesi ka qenë më specifik për votat që vijnë nga shteti serb. Këtu janë të gjitha fletëvotimet që kanë ardhur nga jashtë Kosovës dhe ne do të kujdesemi që të mos preket integriteti zgjedhor”, ka thënë Halimi, raporton KTV.

Ai tha se pret që sot gjatë ditës të mblidhet KQZ-ja për të diskutuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur.

“Çfarë ka ndodhur nuk e dimë, por jemi në proces që të shohim se çfarë ka ndodhur, së bashku edhe me organet kompetente”, theksoi ai.

12:04

SHSKUK: Gjendja e të helmuarve është stabile

12:08 - SHSKUK-ja përmes një komunikate për media bën të ditur se gjendja shëndetësore e të helmuarve është stabile.

Gjithashtu bëhet e ditur se dy prej nëntë grave janë shtatzënë.

“Në ora 11:58 në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 paciente, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ultë. Dy nga to kanë pasur edhe vjellje. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka pasur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, thuhet në komunikatë.

Pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese.

Ekipa kujdestare e Klinikës Infektive kanë ndërmarrë masat e duhura duke i spitalizuar dhe duke i ofruar ndihmën e duhur mjekësore.

Konziliumi i SHSKUK dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në vazhdimësi janë duke e monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të spitalizuar.


Ramadani: Gjendja e të helmuarve stabile

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ka deklaruar se gjendja e të helmuarve është stabile, raporton KTV.

“Janë lajmëruar nëntë persona, gjendja e tyre është stabile. Ekipet kujdestare kanë ndërmarrë masat e duhura rreth këtij rasti. Jemi duke bërë analizat që të kuptojmë se nga ka ardhur helmimi”, ka thënë Ramadani.

Image

Vëzhguesi i GERMIN-it tregon si u helmuan zyrtarët e KQZ-së nga zarfet e ardhura nga Serbia

13:15 - Vëzhguesi i organizatës GERMIN, Shpëtim Shujaku i ka thënë KosovaPress-it, se 26 zyrtarët e KQZ-së, në momentin që kanë hapur zarfet, kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruajtje dhe disa shenja përreth syve.

Ai nuk ka pasur probleme deri tash, pasi ka qenë vetëm si vëzhgues, megjithatë rrëfen ngjarjen.

“Në momentin që janë hap këto zarfe kanë pas një erë shumë të rënd dhe kanë kundërmuar dhe pastaj me vazhdimin e procesin kur kanë hap , disa prej zyrtarëve të KQZ që kanë pas kontakt fizik me këto zarfe kanë filluar me pas reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruarje dhe disa shenja për rreth syve. Pastaj u marrë vendimi prej zyrtarit kryesor Besnik Buzhala që procesi me u suspendu për një kohë të pacaktuar, derisa të bëhet verifikimi pakove nga Forenzika”, tha ai.

“Unë personalisht nuk kam pas problem me to, por 6 prej punëtorëve që kanë qenë këtu, pas udhëzimit që kanë marrë në qendrën e mjekësisë familjare, janë dërguar drejt në Infektivë. Kurse pjesa tjetër e punëtorëve që kemi qenë këtu jemi duke u kontrolluar te ambulanca emergjente që ka ardh në vend”, tha ai duke shtuar se përveç 26 zyrtarëve, aty kanë qenë edhe rreth 10 persona tjerë.


Të helmuarit në QNR dërgohen në QKUK, Policia s’lejon askënd t’i afrohet Infektives

12:32 - Policia e Kosovës ka arritur në QKUK ku janë dërguar punëtorët e Qendrës së Numërimit dhe Rinumërimit të cilët dyshohet se janë helmuar nga zarfet me vota të ardhura nga Serbia.

KTV raporton se forcat policore nuk po lejojnë askënd që t’i afrohet Klinikës Infektive.

Image

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për KTV-në se Policia posedon informata të tilla për helmim, por për detaje në këtë fazë ka rekomanduar që pyetjet të adresohen në KQZ dhe tek autoriteteve shëndetësore.

KTV-ja raporton se 9 persona janë në infektivë, derisa gjendja e tyre është stabile. Megjithatë, ata janë të shqetësuar.

E edhe në emergjencë ka zyrtarë policorë.


26 persona të helmuar në QNR nga zarfet e ardhura me vota nga Serbia - ndërpritet procesi

Image

Procesi i verifikimit të zarfeve me vota të ardhura nga Serbia është ndërprerë rreth orës 11:00 shkaku se punëtorët kanë raportuar për kundërmim nga ta, raporton KTV.

Raportohet të jenë helmuar rreth 26 zyrtarë kosovarë që kanë punuar në numërimin e zarfeve.

Ndërkaq, KTV raporton se ekipet e Emergjencës dhe të Policisë kanë arritur në vendin ku janë duke u verifikuar votat e në të cilën, për shkak të kundërmimit nga zarfet me votat e ardhura nga Serbia, është ndërprerë procesi.

Me kërkesë të Policisë, të gjithë zyrtarët që kanë qenë brenda qendrës janë duke u trajtuar nga ekipet e mjekësisë urgjente.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme