LDK-ja mbledh Kryesinë e saj për të diskutuar rreth koalicionit me VV-në

Zëdhënësi Mustafa e përmirëson veten: S’ka pezullim të diskutimeve me VV-në

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 11 October 2019 13:24
19:59

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka përmirësuar deklaratën që e ka dhënë më herët, se me Vetëvendosjen janë pezulluar diskutimet për formimin e Qeverisë së re deri në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Ai ka lëshuar një sqarim për media, ku thotë se diskutimet do të vazhdojnë mes grupeve punuese për përafrimin e programit qeverisës, ashtu siç deklaroi edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, e kandidatja e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.

“Nuk ka pezullim të diskutimeve! Po vazhdojnë diskutimet mes grupeve punuese të LDK-së dhe LVV-së për përafrim të programeve tona. Diskutimet në nivel politik për bashkëqeverisjen LDK-LVV vazhdojnë pas certifikimit të rezultate nga KQZ-ja”, ka thënë Mustafa.

17:45

Edhe Osmani thotë se nuk ka ngrirje të negociatave me VV-në, s’e komenton Veliun

Edhe kandidatja e LDK për kryeministre Vjosa Osmani, ka thënë se nuk është ndalur procesi i negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, për afrimin e programit të përbashkët qeverisës.

Osmani ka thënë se grupet punuese do të krijohen varësisht prej temave.

Por nënkryetarja Osmani, nuk ka komentuar deklaratat e nënkryetarit tjetër të LDK-së, Agim Veliu, që u shpreh kundër koalicionit me VV-në.

“Për besë nuk e di për çfarë deklaratash bëhet fjalë, por disponimi në Kryesi ka qenë shumë i mirë dhe nuk ka pasur asnjë vendim për të ngrirë bisedimet me LVV-në. Do të vazhdojnë bisedimet për program. LDK në këto zgjedhje ka marrë rezultatin më të mirë prej vitit 2004”, tha ajo.

Grupet punese, ka thënë Osmani, do të varen nga temat sektoriale.

“Ne e kemi një ekip që e kemi krijuar, e që ka diskutuar para zgjedhjeve, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku. Por varësisht nga temat, p.sh për drejtësi i kemi juristët, për ekonomi ashtu, për arsim. Na duhet harmonizim për disa tema të rëndësishme”, tha ajo.

Këto komente, ajo dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deputetin e CDU-së në Bundestag, Volkmar Klein.

16:58

Mustafa: Puna e ekipeve të LDK-së e VV-së për harmonizimin e programit do të vazhdojë

Vetëm pak kohë pasi zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se kjo parti i prolongon bisedat me VV-në për arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë, kreu i po të njëjtës parti ka deklaruar ndryshe.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij do të vazhdojë kontaktet me Vetëvendosjen për të harmonizuar qëndrimet për koalicion për të cilin, siç ka thënë ai, “mendojmë se është i mundur”.

“Në ditët dhe javët në vazhdim do të diskutojmë për shumë fusha dhe tani pas certifikimit do të shohim mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, Mustafa ka thënë se më nuk do të ketë mes drejtuesve të të dyja partive.

“Sa i përket bashkëqeverisjes me VV-në mund të bëhet vetëm pas certifikimit. Ne do të diskutojmë dhe Kryesia s’ka asnjë vendim për ngrirje të bashkëpunimit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa e ka sqaruar se takim mes liderëve të VV-së dhe LDK-së nuk do të ketë pa certifikim të rezultatit zgjedhor. Por, ka thënë se takime mes ekipeve punuese do të ketë.

Pak orë më parë, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, kishte deklaruar se Kryesia e LDK-së kishte vendosur që të mos zhvillojë asnjë takim me Vetëvendosjen për koalicion qeverisës, derisa nuk certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

Zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa, ka thënë se ky është vendim i Kryesisë, raporton KTV.

Ky qëndrim i LDK-së, sipas Mustafës ka ardhur pasi akoma nuk dihet rezultati përfundimtar se kush është fituesi i zgjedhjeve.

15:19

Kryesia e LDK-së vendos – Asnjë takim me Vetëvendosjen pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve

Kryesia e LDK-së ka vendosur që të mos zhvillojë asnjë takim me Vetëvendosjen për koalicion qeverisës, derisa nuk certifikohet rezultati i zgjedhjeve.

Zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa, ka thënë se ky është vendim i kryesisë, raporton KTV.

Ky qëndrim i LDK-së, sipas Mustafës ka ardhur pasi akoma nuk dihet rezultati përfundimtar se kush është fituesi i zgjedhjeve.

Kujtojmë gjithashtu se edhe mbrëmë kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmani, në Rubikon të KTV-së tha se marrëveshjen me Vetëvendosjen mund ta finalizojnë në muajin nëntor, por u duhet kohë për diskutime derisa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

“Është mirë që të synojmë të arrijmë marrëveshje në kohë rekord. Kur të certifikohen rezultatet të mos na marrë më shumë se dy-tri javë. Brenda nëntorit, nëse gjatë tetorit kemi rezultat final atëherë brenda nëntorit do të duhej të finalizojmë diskutimet. Kemi vullnet që sa më shpejtë të përfundojmë diskutimet, por pasi të dihen rezultatet. Nëse edhe VV-ja ka vullnet, s’shoh se mund të ketë probleme të mëdha”, ka thënë ajo.

13:24

LDK-ja mbledh Kryesinë e saj për të diskutuar rreth koalicionit me VV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë e saj. Në këtë mbledhje do të diskutohet rreth koalicionit të mundshëm me Vetëvendosjen.

Në këtë takim, kryesia pritet të caktoj ekipin punues për të negociuar me Vetëvendosjen, raporton KTV.

Mbledhja e kryesisë së LDK-së po mbahet një ditë pas takimit që zhvilluan kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Isa Mustafa.

Që të dyja partitë janë shprehur optimist për arritjen e koalicionit qeverisës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agron05/11/2019 17:35

Agimit i ndalet taxhia, me te tjeret e ndajne grazhdin, me VV nuk ka me ashtu.

alipash tepelena05/11/2019 17:35

ne mesin e LDK ka shum krymba, njerz te shitur qe nuk deshirojn te miren e ksoves, aty ka shum njerz te koruptuar deri ne palc dhe per ket nuk deshirojn dhe bejn cdo gje qe te minojn koalicionin.

Shto koment

Të ngjashme